Kosova

Serbia arreston një shtetas të Kosovës në Merdarë

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar të shtunën se e ka arrestuar një shtetas të Kosovës në pikën kufitare në Merdar, nën dyshimin “për krime lufte kundër civilëve në Kosovë”.

Sipas komunikatës së MPB-së serbe bëhet fjalë për Tefik Mustafën.

Në komunikatë, thuhet se “si pjesëtar i UÇK-së, në deklaratat e dëshmitarëve është përmendur si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë – Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”.

“Personi është dorëzuar te Zyra e Prokurorit për Krime Lufte”, ka thënë Daçiqi.

E dyshime mbi rastin e përmendur nga Serbia ka hedhur sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli. Ai ka thënë se “nëse marrim për bazë rastin ‘Panda’ dhe skemat terroriste me të cilat kanë operuar shërbimet e sigurisë serbe, është shumë më e mundshme që Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviqi të jenë humbur apo zë jenë gjallë në Serbi, se sa t’u ketë ndodhur diçka në territorin e Republikës së Kosovës”. “Me gjasë po iu duhet ndonjë temë propagandistike për zgjedhjet e nesërme në Serbi. Poshtërsi!” ka shkruar ai në Facebook.

MPJ-ja e Policia e Kosovës nuk kanë dalë ende me njoftim për rastin.