Kosova

Erdogan pas takimit me Kurtin: Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në çdo fushë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në takimin e sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ka thënë se janë fokusuar në rritjen e vëllimit të tregtisë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës në mbi një miliard dollarë, e cila momentalisht është afër 750 milionë dollarë.

Sipas njoftimit nga presidenca turke lidhur me takimin, në takim janë trajtuar çështjet, si marrëdhëniet midis Turqisë dhe Kosovës, “sulmet e Izraelit në tokat palestineze”, si dhe çështjet rajonale dhe globale, shkruan agjencia turke e lajmeve, Anadolu.

“Erdogan tha se mbështetja e Turqisë ndaj Kosovës do të vazhdojë në çdo fushë, se priten hapa nga Kosova, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe se është i mirëseardhur fillimi i zbutjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por se është e rëndësishme që të sigurohet progres konkret lidhur me këtë çështje. Presidenti Erdogan theksoi se duhet të rritet presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit për të përfunduar masakrat që i kryen në Gaza, të jepet mbështetje ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe se Palestina duhet të mbështetet në mënyrë aktive”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” ka thënë se në takim kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik dhe të mbrojtjes.