Lajme

Serbia synon t’i kufizojë OJQ-të e huaja sipas modelit rus

Partia Lëvizja Socialiste në Serbi ka njoftuar se do të hartojë një draft që synon të kufizojë aktivitetet e OJQ-ve të huaja që veprojnë në vend.

“Të tradhtosh vendin dhe popullin tënd nuk mund të jetë më një aktivitet fitimprurës”, tha Bojan Torbica, deputet i Lëvizjes Socialiste.

Drafti shëmbëllen ligjin e kontestuar për agjentët e huaj i miratuar së fundmi në Gjeorgji, sipas modelit rus. Votuesit serbë do t’u drejtohen kutive të votimit më 2 qershor dhe do të marrin pjesë në përsëritjen e zgjedhjeve. Propozimi i draftit në fjalë mund t’i sjellë më shumë vota Lëvizjes Socialiste, raporton euronewa.al, përcjell Albinfo.ch.

“Mendoj se përbën rrezik për Republikën e Serbisë ekzistenca e OJQ-ve që financohen nga jashtë për të propaganduar Kosovën si shtet të pavarur, gjenocidin në Srebrenicë dhe shkatërrimin e Republika Srpska”, tha Gjorgje Komlenski, kryetar i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste.

OJQ si Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut druhet se drafti do të prekë të ardhmen e saj dhe atë të shoqërisë serbe.

“Këto njoftime më duken si mjete frikësimi ndaj shoqërisë civile dhe medias së pavarur. Bëhet fjalë për media që kritikojnë qeverinë dhe në anën tjetër për organizata që përpiqen ta reformojnë shoqërinë. Ky është qëllimi. Përmes këtij njoftimi ne shohim një lloj dëshire për të ndaluar mbrojtjen e parimeve të caktuara demokratike”, tha Marko Milosavljeviq, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut.

Parlamenti Evropian ka deklaruar se Serbia, vend kandidat, nuk mbajti së fundmi zgjedhje të lira e të ndershme, pasi ato u shoqëruan me shkelje të shumta./Albinfo.ch/