Kosova

Detaje të takimit Allen-Osmani nga Departamenti Amerikan i Shtetit

Nënsekretarja amerikane për Diplomaci Publike, Liz Allen, ka qëndruar sot për vizitë në Kosovë, ku është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Përmes një komunikate, Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhënë detaje të takimit, ku ndër të tjera thuhet se në takim u diskutua për prioritetin strategjik për avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe rëndësinë e koordinimit të ngushtë për arritjen e këtij qëllimi, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit, Allen theksoi përfitimet e integrimit ekonomik rajonal dhe rëndësinë e vlerave evropiane dhe transatlantike si të drejtat e pakicave dhe liria e medias dhe po ashtu u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi (MOU) për të forcuar bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës për të luftuar manipulimin e informacionit nga shteti i huaj.

Me këtë rast, Kosova është vendi i 15-të në Evropë, Afrikë, Azinë Lindore dhe Amerikën e Veriut që miraton Kornizën e Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Kundër Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj. Vendet janë bashkuar në njohjen e përbashkët se manipulimi i informacionit të shtetit të huaj, i cili përfshin dezinformimin dhe propagandën, është një kërcënim i sigurisë transnacionale që mund të krijojë ose të shfrytëzojë përçarje brenda dhe midis vendeve, të rrezikojë integritetin zgjedhor dhe të minojë besimin e publikut në qeveri.