Lajme

Kosovën e lëshuan 50 mijë qytetarë

Sipas statistikave që i posedon Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), vetëm gjatë muajve të fundit, Kosovën e kanë lëshuar rreth 50 mijë qytetarë

Në kërkim të një jete më të mirë, Kosovën gjatë këtyre muajve e kanë lëshuar rreth 50 mijë qytetarë, të cilët kanë migruar ilegalisht në shtetet e Bashkimit Evropian. Kështu ka deklaruar kryetari i Komisionit Parlamentar për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Shala.

“AKI-ja i ka informacionet, nuk është vetëm viti 2015 që ka lëvizje të qytetarëve tanë, ka pasur edhe në vitin 2014, 2013 por numri më i madh është në vitin 2015. Këto informacione i ka pasur AKI-ja, e cila konfirmon numri prej 50 mijë i qytetarëve që kanë lëshuar Kosovën”, ka thënë ai.

Ndërsa, i pyetur nga gazetarët nëse ky komision do të bëjë diçka më shumë se sa ta shikojë emigrimin nëpër medie, Shala është përgjigjur se një pyetje e tillë duhet t’u bëhet liderëve politikë.

“Mirë është këtë pyetje t’ua bëni liderëve politikë të cilët sot thirren në emër të qytetarëve të Kosovës dhe e kanë marrë votën e të gjithë atyre. Ata duhet të shkojnë dhe t’i vizitojnë të gjithë këta qytetarë kudo që janë sot”, ka deklaruar Shala, deputet i Nismës në Kuvendin e Kosovës.