Maqedonia

Presidenti Pendarovski pranon humbjen e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut

Kandidati për President, Stevo Pendarovski, ka pranuar humbjen dhe i uroi punë të suksesshme kandidates nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ndërkohë që akuzoi BDI-në, e cila ka bërë thirrje për bojkot, përcjell albinfo.ch.

Pendarovski me këtë rast tha se pavarësisht rezultatit, ai ka ndërgjegjen e pastër dhe pyeti nëse edhe ata të cilët thirrën në bojkot kanë ndërgjegjen e pastër, shkruan Zhurnal.mk.. “E dimë se ka disa raporte për disa parregullsi, por këtë ua lëmë organeve kompetente që të mos mbetet asnjë njollë ndaj procesit zgjedhor. U uroj fituesve, u dëshiroj sukses në punë gjatë katër vjetëve, gjegjësisht 5 vjetëve të ardhshme.

Koncepti im për një Maqedoni multietnike, të integruar në strukturat euroatlantike, nuk gjeti mbështetje tek votuesit, megjithatë unë mbetem në qëndrimin se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë prosperuese. Ndërgjegjja ime është e pastër. Por nuk e di nëse e kanë ndërgjegjen e pastër edhe ata të cilët thirrën në bojkot“, deklaroi Stevo Pendarovski, kandidat për president.