Integrimi
Shqipja në Zvicër, pak histori dhe disa probleme aktuale
Rritja e numrit të folësve të shqipes në Zvicër rrit edhe perceptimin e zviceranëve për rëndësinë e shqipes në vend. Por, sa po bëhet për ngritjen e mësimit të shqipes në nivele akademike?
Një lajm i publikuar rreth dy muaj më parë nga Zyra Federale për Statistika bëri bujë në të gjitha mediat zvicerane dhe ato shqiptare. Të dhënat më të reja të kësaj zyre thonë se në mesin e gjuhëve të huaja në Zvicër, gjuha shqipe flitet më së shumti, pas anglishtes. Shqipja vjen në këtë pozitë, duke e kaluar, për pak, portugalishten, e cila “tradicionalisht” mbante vendin e parë në këtë listë. Pavarësisht bujës që bëri, gjendja e konstatuar nga zyra në fjalë ishte një gjë evidente tashmë, për njerëzit në Zvicër. Në veçanti në Zvicrën gjermane, shqipja, prej kohësh, përbën një realitet të pakapërcyeshëm, për çdo statistikë ose studim që merret me gjuhët e huaja në këtë vend.
Dhe jo vetëm brenda mureve të shtëpive ku banojnë shqiptarët.
Prania paksa e konsoliduar e gjuhës shqipe në Zvicër regjistrohet prej tashmë gjashtë dekadash. Ajo fillon qëkur shqiptarët e parë, nga Kosova dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi filluan të vinin në mënyrë të organizuar në këtë vend, për të kërkuar punë. Bëhet fjalë për grupet e shqiptarëve nga zonat pasive të Kosovës, Maqedonisë etj., që mësynin Zvicrën, të rekrutuar nga entet komunale ose rajonale të punës, në komunat a regjionet përkatëse.
Pak histori
Para kësaj periudhe mund të flitet vetëm për raste individuale dhe të izoluara të pranisë shqiptare në tokën helvetike. Njihet, fjala vjen, po u shfletuan burimet historike, rasti nga shekulli i pesëmbëdhjetë, si ai i Koncilit (Këshillit) të Bazelit, në vitin 1431, ku ishin të ftuar edhe peshkopë shqiptarë. Pastaj, në vitin 1556 në Bazel është botuar libri i humanistit shqiptar Marin Barletit “De obsidione Scodransi” (Rrethimi i Shkodrës) etj.
Më vonë, në shekullin nëntëmbëdhjetë, është princesha nga Rumania, me prejardhje shqiptare Elena Gjika, e cila bën bujë me vizitat e saj në Zvicër, ku dallohet sidomos për ushtrimin e hobit të saj si alpiniste. Ajo, krahas veprimtarisë së saj të çmuar për afirmimin e kauzës shqiptare në vendet që ka frekuentuar, ka ngjitur disa nga majat më të larta të Alpeve të Zvicrës. Pas kësaj kohe kemi një shpeshtim të qëndrimit të shqiptarëve në Zvicër. Këtej ishin për vizita ose qëndrime më të gjata emra të mëdhenj të Rilindjes sonë kombëtare si Naim Frashri, Çajupi, Konica, Mithat Frashëri, Lazër Shantoja… etj. Por kjo prani, sado elitare, nuk e ngrinte dot një komunitet shqiptar në Zvicër dhe, rrjedhimisht, as praninë e gjuhës shqipe në këtë vend.
Vitet `90-a, si pikë kthese për praninë shqiptare në Zvicër
Tani, nëse i referohemi kohës nga vitet `60 të shekullit të kaluar dhe deri më sot, sërish duhet të bëhet një nënndarje sa u takon shqiptarëve dhe gjuhës shqipe në Zvicër. Kështu, në vitet 60-80 të shekullit të kaluar, nisur nga përkatësia e tyre shtetërore, gastarbajterët shqiptarë identifikoheshin si “jugosllavë”, pra njiheshin fare pak ose aspak si shqiptarë, nga vendësit. Ndërkaq, me përshkallëzimin e krizës në ish Jugosllavi dhe në Kosovë, nga fundi i viteve `80 e tutje, shqiptarët gradualisht u bënë më të dallueshëm dhe dolën nga anonimiteti i “mantelit jugosllav”, duke shënuar kështu një komunitet tashmë të përveçëm dhe unik, të huaj, në këtë vend. Kryesisht nga kjo kohë pra, mund të flitet edhe për “zbulimin” e shqipes në konglomeratin e gjuhëve që fliten në Zvicër.
Fillet e organizimeve politike, kulturore dhe sportive, i gjejmë edhe në vitet `80-a, por fillimi i viteve `90-a me rritjen e hovshme të komunitetit, shënon hapin e pakthyeshëm të pranisë masive të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe në Zvicër. Këtu kemi parasysh sidomos aktivitetet rreth hapjes së shkollave me mësim plotësues në gjuhën shqipe (LAPSH), themelimin e mediave në gjuhën shqipe, pastaj të një numri të madh të shoqatave me karakter kulturor – kryesisht muzikor, folklorik etj. Të gjitha këto zënë fill rreth vitit 1990, vit ky që mund të merret si vit strumbullar edhe i gjuhës shqipe në Zvicër.
Rritja e komunitetit shqiptar nga të gjitha vendet e prejardhjes (për shkaqe të njohura, më së paku nga Shqipëria) shton edhe perceptimin e vendësve për komunitetin në fjalë, me veçantitë e tij pra, edhe me gjuhën e tij të dallueshme.
Katedra e shqipes që nuk po hapet dot
Si reflektim i kësaj, rritet edhe nevoja për përkthyes nga dhe në gjuhën shqipe, për kurse përkatëse të gjuhës shqipe për zviceranë dhe të tjerë, për publikime të ndryshme edhe në gjuhën shqipe që bëhen nga shumica e institucioneve shtetërore zvicerane etj. Lidhjet gjithnjë më intensive, familjare, biznesore etj., në mes të shqiptarëve dhe zviceranëve shtojnë edhe më shumë vëllimin e pranisë së shqipes në publik. Prandaj, nisur nga ky realitet i ri i shqipes, asaj që del përtej mureve të banesave të shqiptarëve të këtushëm, do të ishte kaherë e pritshme që gjuha shqipe të bëhej objekt studimi në universitetet e këtushme. Por ajo nuk është. Ende nuk ka në Zvicër asnjë katedër ose seminar ku do të mësohej gjuha shqipe mbi baza shkencore e didaktike që i takon. Disa nisma, ndonjëra në nivele të përfoluri dhe ndonjëra edhe në nivele konsultimesh serioze, për themelimin e një katedre të gjuhës shqipe në Bernë, gjegjësisht në Cyrih, kanë ngelur diku në rrugë. Nuk ka asnjë shenjë prej tyre. Ku janë shkaqet? Njohësit e rrethanave (të cilët i kemi intervistuar në këtë numër të magazinës sonë) thonë se puna ka ngecur, kryesisht te financat. Të cilat duhet të siguroheshin në nivele institucionale, të shteteve, gjegjësisht universiteteve publike të vendeve të prejardhjes së komunitetit shqiptar, ose edhe të Zvicrës.
Fakti që ato, edhe pas kaq kohësh që ka kaluar nuk po sigurohen, flet se sa (pak) e ndiejnë nevojën këto nivele për jetësimin e nismave në fjalë.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision Transmetuesi Zviceran SRG SSR ka zbuluar detajet e Konkursit të Këngës në Eurovision 2025 në Bazel....
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?