Shqipëria

Shtatorja e Skënderbeut së shpejti do të vendoset në Paris

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përkujtuar sot 619-vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj ka bërë të ditur se “shumë shpejt, në sheshin “Skënderbej”, në Paris do të vendosim shtatoren e tij”.

Gjatë një vizite dy ditore në Francë, Kryetbashkiaku Veliaj takoi homologen e tij, kryetaren e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo nga ku dha lajmin e mirë të restaurimit të sheshit “Skënderbej” në kryeqytetin francez, si një shenjë e lidhjeve të forta që ekzistojnë mes dy popujve tanë, në momentin kur Shqipëria synon integrimin në Bashkimin Evropian.

“Lajmi më i mirë është që kemi një shesh “Skënderbej” në Paris dhe më në fund, sheshi është restauruar totalisht. Jemi gati për të pasur një monument të Skënderbeut në Paris, që ka qenë një ëndërr e shumë shqiptarëve dhe një lidhje e fortë mes popujve tanë”, është shprehur Veliaj gjatë këtij takimi.

Veliaj ka theksuar se “kur Evropën e ëndërronim, kur në Evropë ishim dhe tani që në Evropë po integrohemi, statuja e Skënderbeut në Paris është një ndër lajmet më të mira që kemi marrë nga kjo vizitë”.