Shqipëria

Shqipëria vë në dispozicion të turistëve 34 qendra shëndetësore

34 qendra shëndetësore do të jenë në shërbim të turistëve përgjatë gjithë sezonit.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se “ashtu si përgjatë të gjithë vijës bregdetare dhe në zonat turistike malore, 34 qendrat shëndetësore verore janë në shërbim 24/7, për t’iu përgjigjur emergjencave shëndetësore, për një sezon turistik të sigurt e të shëndetshëm”.

Duke filluar nga 1 qershori për të përballuar fluksin e shtuar të turistëve, do të hapen 34 qendra shëndetësore verore ose 4 më shumë se një vit më parë.

Këto qendra janë të shpërndara gjeografikisht në të gjithë zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil.

Qendrat e reja verore që do të çelen për herë të parë në 2024-n janë ato në Hamallaj, Radomirë, Jalë dhe Bogë.

Në veri të vendit do të funksionojnë 10 qendra, në Shqipërinë e Mesme 9 qendra shëndetësore dhe në zonën e jugut 15 të tjera.