Lajme

Edi Rama e konfirmon: Më 12 maj jam në Athinë, nisim rrugëtimin e pranverës në diasporë

Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sërish bashkatdhetarët në Greqi se më 12 maj do të jetë në Athinë, ku do të zhvillojë një takim me shqiptarët që janë atje, në kuadër të rienergjizimit të Partisë Socialiste dhe përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025-ës, përcjell albinfo.ch.

“Mirëmëngjes dhe me një kujtesë për ata ndër ju që janë në Greqi, se në 12 maj nisim nga Athina rrugëtimin e pranverës në diasporë. Krenarë për Shqipërinë, ku do të ishte kënaqësi e posaçme të takoheshim, ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë”, bën me dije Rama.

Dy ditë me parë mediat greke shkruanin se kryeministri grek Mitsotakis është i shqetësuar për prezencën e homologut shqiptar në Athinë më 12 maj, pasi mund të ndikojë tek vota e shqiptarëve për zgjedhjet e eurodeputetëve grekë. Por, megjithatë, kryeministri Rama rikonfirmon se nuk ka asnjë tërheqje as nga data dhe as nga vendi i planifikuar i takimit në Greqi.

Edhe me shqiptarët e Italisë kryesocialisti do të takohet para zgjedhjeve për Parlamentin Europian, pasi është caktuar që më 26 maj Rama të jetë në Milano. Lëvizja e radhës do të jetë Londra, më 2 qershor, ndërsa përmbyllja e turit me diasporën do të zhvillohet në Dyseldorf.