Lajme

DASh i reagon Serbisë që futi në Qeveri persona të sanksionuar nga SHBA

Departamenti Amerikan i Shtetit u shpreh i zhgënjyer nga Qeveria e re serbe, për propozimin e bërë, që dy nga figurat politike serbe të sanksionuar nga SHBA-të, të jenë kandidatë për zëvendëskryeministër dhe ministër pa portofol në qeverinë e re serbe.

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk është i lumtur me reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Vuciq thotë se Qeveria e Serbisë është e zgjedhur nga qytetarët e Serbisë. Ministër pa portofol në Qeverinë e re është propozuar Nenad Popoviq, ndërsa për zëvendëskryeministër kandidat është Aleksandar Vulin.

Nenad Popoviq është i sanksionuar nga SHBA-ja që nga nëntori i vitit 2023, ndërsa sanksionet ndaj Vulinit u vendosën në korrik të të njëjtit vit. Të dy janë në “listën e zezë”, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tyre me Kremlinin.