Maqedonia

Davkova vs. Pendarovski, në raundin e dytë të zgjedhjeve

Sipas KSHZ, rreth 49 për qind e 1.8 milionë shtetasve më të drejtë vote e hodhën votën në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën

Kandidatja opozitare, Gordana Siljanovska-Davkova, e ka fituar bindshëm rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut të mërkurën, dhe do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, në rundin e dytë muajin e ardhshëm.

Por, me gjithë fitoren bindëse të Davkovës në rundin e parë, votat e shqiptarëve mund përsëri të luajnë rol kyç në rundin e dytë, sikurse para pesë vjetëve.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Davkova – e cila vjen nga partia opozitare VMRO DPMNE – i fitoi 40.10 për qind të votave, ndërsa Pendarovski nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet, i fitoi 19.93 për qind të votave, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Shtatë kandidatë garuan në rundin e parë, në mesin e të cilëve edhe dy shqiptarë, të cilët nuk ia dolën të fitonin vota të mjaftueshme për ta siguruar balotazhin.

Bujar Osmani nga Fronti Evropian i mori 13.36 për qind të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN 9.21 për qind të votave.

Davkova – duke folur pasi e fitoi rundin e parë – tha se nuk është kundër integrimit evropian të vendit, por se kërkon që integrimi “të mos bëhet duke dëmtuar interesat shtetërore e kombëtare maqedonase”.

Ajo u zotua se, nëse zgjidhet presidente, do të angazhohet për thellimin e bashkëpunimit rajonal, “që vendet e rajonit së bashku të ecin drejt rrugës së integrimit në Bashkim Evropian”.

Kandidatja për president e partisë opozoitare VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova, e fitoi rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut më 24 prill.

 

Kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski, u zotua se do ta vazhdojë betejën në rundin e dytë të zgjedhjeve “për një fitore dhe për realizimin e agjendës evropiane” të Maqedonisë së Veriut. “Koncepti im është që të jetojmë në një shteti të integruar në BE dhe jo të izoluar. Në një shtet ku nuk do të ketë ndarje dhe i cili do të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike”, tha Pendarovski.

Sipas KSHZ, rreth 49 për qind e 1.8 milionë shtetasve më të drejtë vote e hodhën votën në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën.

Fitorja e thellë e kandidates opozitare Davkova ishte parashikuar pothuajse në të gjitha hulumtimit e opinionit publik.

Zgjedhjet presidenciale të 24 prillit shihen si test i rëndësishëm për partitë politike, pasi ato u mbajtën pak javë para zgjedhjeve parlamentare të 8 majit. Sipas vlerësimet të njohësve të çështjeve politike, VMRO DPMNE është pranë fitores së dyfishtë më 8 maj, Presidencës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

VMRO DPMNE-ja është një parti konservatore maqedonase me ideologji demokristiane, e cila ka kundërshtuar Marrëveshjen e Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit Maqedoni në Maqedoni të Veriut, pavarësisht se ky ishte kusht për anëtarësimin e këtij vendi në NATO.

Mbështetësit e partisë opozitare VMRO DPMNE duke e festuar fitoren e kandidates së tyre në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, 24 prill.

Mbështetësit e partisë opozitare VMRO DPMNE duke e festuar fitoren e kandidates së tyre në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, 24 prill.

Ajo kundërshton edhe ndryshimin e Kushtetutës së vendit për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj si popull shtetformues, që është kusht për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Politikat e kësaj partie kanë gjetur mbështetje të gjerë te popullata maqedonase, bazuar në të gjitha hulumtimet e opinionit publik të zhvilluara prej vitit 2018.

Humbja e thellë e LSDM-së në rundin e parë presidencial ka të bëjë edhe me zhvillimet tjera, në veçanti me dështimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjendjen në gjyqësor, që janë kritikuar në të gjitha raportet e BE-së dhe SHBA-së. Fitorja e VMRO-së i atribuohet edhe kritikave që kjo ka parti pati ndaj LSDM-së për “lëshimet e shumta” që ka bërë ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të cilën e ka akuzuar për përfshirje në krime të rënda dhe “kapjen e institucioneve shtetërore”.