Maqedonia

Mbretëria e Norvegjisë dhuron 76 automjete për Armatën e Maqedonisë së Veriut

Në kazermën “Ilinden” në Shkup sot do të dorëzohet donacion prej 76 automjeteve nga Mbretëria e Norvegjisë, përcjell albinfo.ch.

“Shtatëdhjetë e gjashtë automjete, nga të cilat tridhjetë e gjashtë janë automjete të lehta këmbësorie të tipit Mercedes Benz-290GD, Multi 2 dhe dyzet automjete transportuese kamionë Skania-P3, janë të fundit nga projektet e shumta të bashkëpunimit të vazhdueshëm të shkëlqyer në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Norvegjisë”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.

Në këtë ngjarje fjalime do të mbajnë ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral nënkoloneli Vasko Gjurçinovski, ambasadorja e Mbretërisë së Norvegjisë për Maqedoninë e Veriut, Kristin Melsom, dhe gjenerali i brigadës, Andres Jernberg, komandant i logjistikës së Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Norvegjisë.

Në aktin e dorëzimit zyrtar do të marrin pjesë edhe udhëheqja e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtatmadhorisë, gjeneralë në armatë dhe komandantë të njësive.