Maqedonia

Votimi për president në Maqedoni të Veriut po vazhdon pa telashe

Mediat në Maqedoni shkruajnë se të gjitha vendvotimet në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut janë hapur me kohë dhe votimi është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa parregullsi, ka njoftuar kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Dashtevski, përcjell albinfo.ch.

Ai në konferencën për media ka thënë se deri në orën 9 kanë votuar 3.85 për qind e votuesve të regjistruar në 832 vendvotime.

“Dy orë e gjysmë pas fillimit të votimit, votimi është zhvilluar i qetë dhe pa parregullsi të raportuara në të gjitha vendvotimet. Deri në orën 9 janë marrë të dhënat për pjesëmarrjen në 832 vendvotime. Nga gjithsej 402.748 votues të regjistruar. Në ato vende kanë votuar 15.487 ose 3.85 për qind”, është shprehur Dashtevski.

Kryetari i KSHZ-së ka shtuar se kanë pranuar 12 ankesa për parregullsi.

“Këto zgjedhje po monitorohen nga 915 vëzhgues maqedonas dhe 544 të huaj, si dhe 38 gazetarë të huaj”, ka deklaruar ai.

Nisin zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut të mërkurën u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet presidenciale. Në garë janë shtatë kandidatë, prej tyre dy shqiptarë.

Vendvotimet janë hapur nga ora 07:00, ndërsa do të zgjasin deri në orën 19:00. Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në listën zgjedhore është 1.814.317. Janë zgjedhjet e shtata presidenciale prej kur Maqedonia e Veriut e shpalli pavarësinë.

Për të fituar në rundin e parë, një kandidat duhet të marrë 50 për qind plus një të votave. Duke marrë parasysh se janë shtatë kandidatë, gjasat që kjo të ndodhë janë shumë të vogla. Prandaj, pritet të ketë rund të dytë në të cilin do të shkojnë dy më të votuarit. Rundi i dytë pritet të mbahet më 8 maj, ditën kur janë edhe zgjedhjet parlamentare.

Shqiptarët janë të ndarë në dy fronte edhe në këto zgjedhje. Koalicioni “Fronti Evropian” ka kandidat Bujar Osmanin, ndërsa koalicioni VLEN ka Arben Taravarin, kandidati që u mbështet edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Për herë të parë në koalicion parazgjedhor “Fronti Evropian”, me BDI-në në mbështetje të Osmanit është përfshirë edhe PDSH-ja e Menduh Thaçit dhe Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës.

Ndërkaq Taravari, i cili u shkarkua nga partia pasi hyri në koalicionin VLEN, ka mbështetjen e Lëvizjes Besa, Lëvizjes Demokratike dhe të partisë Alternativa.

Megjithatë, gara kryesore pritet të jetë mes kandidatëve maqedonas. Stevo Pendarovski synon mandatin e dytë dhe thotë se shteti duhet ta ndryshojë Kushtetutën, konform kërkesës për anëtarësim në BE. Kundër ndryshimeve kushtetuese është VMRO-DPMNE-ja, e cila për kandidate ka Gordana Siljanovska Davkova.