Kosova

Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit.

“Unë dënoj sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit. Ky akt i paprecedentë përbën një rrezik të madh për destabilizimin e të gjithë rajonit”, ka shkruar ai në platformën X.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit. “Sulmi i mbrëmshëm është një sulm jo vetëm ndaj Izraelit por ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë. Vlerat tona të përbashkëta sot cenohen seriozisht dhe Kosova duhet të rreshtohet pa asnjë mëdyshje me NATO-n, ShBA-të dhe Izraelin, në mbrojtje të lirisë.  Qëndrojmë me Izraelin sepse ndajmë një të kaluar të dhimbshme dhe e dijmë se sa kushton liria, andaj jemi me ata që e mbrojnë të njëjtën me çdo kusht”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit të dielën. Irani lansoi mbi 300 dronë e raketa në drejtim të Izraelit në një sulm hakmarrës për vrasjen e dy gjeneralëve të tij në Konsullatën në Damask më 1 prill.

Izraeli ka thënë se shumica e raketave e dronëve iranianë u shkatërruan.

“Kosova i bashkohet aleatëve nëpër botë duke dënuar sulmin e Iranit kundër Izraelit. Ky përshkallëzim i madh po çon te një jostabilitet i paprecedent në rajon dhe përtej, me jetë të pafajshme që mbajnë barrën e bilancit të tij shkatërrues. Përpjekjet për paqe duhet të mbizotërojnë”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.