Integrimi

Tetovari, doktorant i shkencave kompjuterike në Zvicër

Ilir Fetai në doktoratën e tij ka kombinuar matematikën si dhe aplikimin e matematikës në lëmin e shkencave kompjuterike

Gjithçka thotë të ketë filluar me kompjuterin e parë, që ia kishin blerë prindërit e tij, kur Iliri ishte në klasën e pestë. Jo vetëm kompjuterët, por edhe matematika e kishte sfiduar asistentin në Universitetin e Bazelit. Ilir Fetai në doktoratën e tij ka kombinuar matematikën si dhe aplikimin e matematikës në lëmin e shkencave kompjuterike. Ai gjatë rrugëtimit të tij akademik në Zvicër kishte gjetur mbështetje të madhe në të gjithat institucionet nëpër të cilat kishte kaluar, qoftë gjatë përvojës profesionale nëpër kompani të ndryshme, qoftë në institucionet akademike. „Rruga për të arritur një qëllim të caktuar nuk është e lehtë, sidomos në Zvicër, ku kërkesat kualitative janë shumë të larta. Duhet një punë dhe disiplinë e lartë“, flet për përvojat e tij doktoranti me origjinë nga Tetova e Maqedonisë.

Hapi i ardhshëm, mbarimi i disertacionit të doktoratës

 

„Shkencat kompjuterike më kanë ndjekur që nga klasa e 5-të e shkollës fillore, ku edhe prindërit me dhuruan kompjuterin e parë. Shkencat kompjuterike janë tepër ngushtë të lidhura me matematikën, të cilën unë e kam dashur shumë. Studimi i shkencave kompjuterike ishte një mundësi e mirë për mua që të kombinoj të dyja, matematikën, si dhe aplikimin e matematikës në lëmin e shkencave kompjuterike“, thekson Ilir Fetai.

“Në jetën akademike zvicerane është e zakonshme që pas mbarimit të doktoratës të ketë një angazhim të ashtuquajtur Post-Doc, para se të avancohet në funksionin e profesorit universitar. Post-Doc do të thotë Pas-doktoraturës dhe është një vazhdim i aktiviteteve mësimdhënëse dhe hulumtuese. Shpresoj dhe besoj se do angazhohem në programin Post-Doc në njërin nga universitetet e Zvicrës“, thekson tetovari. Disertacioni i Ilirit është në përfundim e sipër dhe ka si temë kryesore menaxhimin e të dhënave në sistemet Cloud.

Studimi, punë që shpaguhet

 

Doktoranti ka këshilluar të gjithë studentët shqiptarë që të mos lënë gurë pa lëvizur në arritjen e qëllimeve të veta. „Zvicra ka një sistem tepër kualitativ të shkollimit, sidomos atij universitar dhe është një prestigj i madh të mbarojnë studimet në njërin nga universitetet e Zvicrës. Natyrisht, si gjithkund në jetë duhet angazhim në punë, por të gjitha këto shpaguhen kur e arrin suksesin. Gjithashtu të gjitha universitetet, e sidomos Universiteti i Bazelit ku unë jam aktiv, i suportojnë studentët në mënyrë të shkëlqyeshme. Profesorët janë shumë të angazhuar që t‘u ofrojnë studentëve mësim të kualitetit të lartë, por gjithashtu t‘u japin mbështetje në të gjitha sfidat që iu dalin përpara gjatë studimeve“, tha Ilir Fetai, i cili kishte migruar në vitin 1999, ndërsa babai i tij që nga viti 1990 punon në Zvicër.

Përvoja profesionale

Nga 2011-ta Iliri është asistent në shkencat kompjuterike në Universitetin e Bazelit. Po ashtu nga i njëjti vit është docent i shkencave kompjuterike në Universitetin e Shkencave Aplikative të  Zvicrës në „Fernfachhochschule“ Zvicër. Po ashtu Ilir Fetai është edhe docent i shkencave kompjuterike në Shkollën e Lartë Teknike në IBZ. Nga 2014 –ta ai është docent i shkencave kompjuterike në Shkollën e Lartë të Ekonomisë dhe Informatikeës,  WISS. Nga 2006 – 2011: Software Engineer, RTC AG, Bern. 2001 – 2006: Software Engineer, Keymile AG. Bern *Shkollimi:* 2011 – deri tash: doktorata në shkencat kompjuterike në drejtimin: „Databases and Information Systems“ në Universitetin e Bazelit. Në të njëjtin universitet nga 2008 – 2011 ka  magjistruar në shkencat kompjuterike (MSc) në Universitetin e Bazelit. Studimet e shkencave kompjuterike i kishte përfunduar në Universitetin e Shkencave Aplikative në Bernë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kishte mbaruar në Tetovë të Maqedonisë.