Shqiperia

Bllokohet për 3 ditë kufiri Shqipëri-Greqi

Policia e Shqipërisë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se tri pikat e kalimit kufitar me Greqinë në jug të vendit do të jenë të paqarkullueshme nga qytetarët që duan të lëvizin në drejtim të Greqisë nga data 2 deri në 4 prill.

Bllokimi i lëvizjes në Kakavijë, Qafë Botë dhe Tre Urat do të ndodhë për shkak të një greve nga ana e punonjësve doganorë të palës greke.

“Qendra e Bashkëpunimit Policor në Greqi ka njoftuar Policinë e Shtetit se nga data 02.04.2024, prej orës 05:30, deri më datë 04.04.2024, në orën 05:30, pikat doganore greke në Kakavijë, Tre Urat, Përmet dhe Qafë Botë, Sarandë, do të jenë të mbyllura për shkak të protestës nga sindikatat greke”, njofton policia, teksa shton se nisur nga e marta e deri të enjten e 4 prillit nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, autobusëve dhe kamionëve në drejtim të Greqisë.

Ata që do të lejohen të qarkullojnë në të dy kahet e kufirit, sipas autoriteteve policore, do të jenë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.