Lajme

Zvicra sot: Përmbledhje e lajmeve më të fundit

Qeveria vendos për modalitetet e pensionit të 13-të; Zvicra dhe Gjermania bien dakord për gjobitjen e shoferëve të njëra-tjetrës; dhe më shumë lajme në këtë përmbledhje të ditës së sotme.

Këshilli Federal vendos për pagesat dhe financimin e pensionit të 13-të

Pas një referendumi më 3 mars, kur votuesit zviceranë pranuan nismën e ‘pensionit të 13-të’, dega ekzekutive e qeverisë u ngarkua të gjente se si të zbatohej më mirë ligji i ri dhe si të financohej.

Të mërkurën, Këshilli Federal vendosi të paguajë pensionin e 13-të një herë në vit, në vend që ta shpërndajë atë në 12 muaj, transmeton albinfo.ch.

Për sa i përket financimit të skemës së re, Këshilli Federal po shqyrton ende dy opsione: ose të rrisë kontributet e punonjësve me 0.8 për qind, ose t’i rrisë ato me 0.5 për qind, me pjesën tjetër të të ardhurave që vijnë nga një rritje prej 0.4 për qind e vlerës së TVSH-së. Masa e re do të hyjë në fuqi nga viti 2026.

Zvicra dhe Gjermania bien dakord për gjobitjen e shoferëve të njëra-tjetrës

Motoristëve gjermanë të gjobitur në Zvicër për shkelje të trafikut, së shpejti do t’u kërkohet të paguajnë gjobën në Gjermani – dhe anasjelltas.

Kjo masë parashikohet në një marrëveshje të re dypalëshe policore mes dy vendeve, që do të hyjë në fuqi më 1 maj, shkruan thelocal.

Rregullorja e re zbatohet nëse gjoba e vendosur kalon 70 euro ose 80 franga.

Në Zvicër, këto pragje arrihen shpejt: tejkalimi i shpejtësisë me 20 km në orë në autostradë kushton 180 franga (184.30 euro), dhe është edhe më i shtrenjtë në rrugët dytësore. Në Gjermani, kjo lloj vepre penale kushton 60 euro (58.75 franga).

Ndërprerje e transportit publik në Gjenevë

Priten ndërprerje të mëdha në linjat 15 dhe 17 të rrjetit të TPG gjatë një pjese të festave të Pashkëve.

Kjo për shkak se furnizimi me energji elektrike do të ndërpritet në të gjithë sektorin Route des Acacias për një javë për shkak të punës në lidhje me pastrimin e Drize.

TPG do të përfitojë nga kjo ndërprerje e përkohshme për të kryer punë të mirëmbajtjes në shinat në këtë seksion. Rrjedhimisht, asnjë tramvaj nuk do të qarkullojë në linjat 15 dhe 17 midis Plainpalais dhe Lancy-Piscine nga sot në orën 23:00 deri të premten më 5 prill në orën 4 të mëngjesit.

Një autobus zëvendësues në linjën 15 do të vihet në shërbim midis Plainpalais dhe Palettes.

“Festat e Pashkëve u zgjodhën për këto punime për të minimizuar shqetësimin për përdoruesit e transportit publik”, tha TPG në një njoftim për shtyp.

Gjithashtu në vijim:

Ora do të ndryshojë të dielën e Pashkëve, më 31 mars, në orën 2 të mëngjesit. Orët do të vendosen një orë përpara.

31 marsi është gjithashtu afati i fundit për deklarimin e taksave në pjesën më të madhe të Zvicrës.