Lajme

Si planifikon Gjeneva të zgjerojë shërbimet e transportit publik?

Rrjeti i autobusëve dhe tramvajit të Gjenevës mbulon jo vetëm qytetin dhe kantonin zviceran, por edhe disa pjesë të komuniteteve fqinje franceze.

Parlamenti i Gjenevës miratoi të premten planin e veprimit të nisur nga qeveria lokale, i cili kërkon një rritje prej 29 për qind të shërbimeve të transportit publik (TPG) në gjithë kantonin zviceran – dhe më gjerë.

Konkretisht, parashikon më shumë tramvaje, përfshirë ato ndërkufitare, si dhe elektrifikim të mëtejshëm të autobusëve, transmeton albinfo.ch.

Kapaciteti i trenit Léman Express gjithashtu do të forcohet.

Zgjerimi i kësaj lidhjeje të veçantë është i rëndësishëm për rajonin, pasi lidh zonën e Gjenevës me Francën fqinje. Itinerari përfshin 45 stacione dhe 230 kilometra rrugë – duke u shtrirë përtej kufijve të kantonit të Gjenevës në Vaud si dhe në Francë.

Ky lajm vjen vetëm disa ditë pasi zyrtarët e Gjenevës njoftuan se do të përdorin tepricën buxhetore prej 1.4 milionë frangash të kantonit për të ofruar transport falas për personat deri në 24 vjeç, përveç uljes së taksave, shkruan thelocal.

Marrëveshja e të gjitha palëve

Projekti i zgjerimit të rrjetit publik hasi në kundërshtime gjatë periudhës së debatit.

Ndërsa disa deputetë, si ata nga partia e qendrës së djathtë Liberale-Radikale (PLR), besonin se ky plan ambicioz ishte i nevojshëm për të përshtatur numrin në rritje të popullsisë, Partia Popullore Zvicerane (SVP) e krahut të djathtë ishte kundër projektit sepse do të ndikonte në industrinë e automobilave.

Në fund, megjithatë, njëzëri u pranua rezoluta për miratimin e këtij plani veprimi.