Lajme

Kush është Dr. Mentor Bilali, kryetar i ri i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës?

Në Zvicër sot është mbajtur simpoziumi i katërt i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër (LMSHZ) me figura të njohura akademike të mjekëve shqiptarë të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova, në Marriot, Cyrih dhe Dr. Mentor Bilalli është zgjedhur kryetar i ri i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, për periudhën 2024-2026, transmeton albinfo.ch.

Mentor Bilali, si fëmijë, kishte tri ëndrra se çfarë donte të bëhej, e të tria ishin identike: mjek, mjek, mjek.

I lindur në Breznicë, një fshat kufitar në komunën e Bujanocit, pasi që babai i tij punonte si punëtor sezonal në Zvicër, ai vizitën e parë në Zvicër e bëri kur ishte vetëm 4 vjeç.

Si fëmijë, ishte mjaft i pasionuar pas futbollit, por me kalimin e viteve të shkollës fillore, të cilën e ndiqte në Reiden të Luzernit, pra, kur gjërat  filluan të bëheshin më “serioze” rreth së ardhmes, pas klasës së 6-të Mentori kalon drejtpërdrejt në gjimnaz në Sursee.

Pas gjimnazit, radhën e kishte edhe matura, si pengesë e fundit për të mësyrë aty ku kishte ëndërruar gjithmonë: Fakulteti i Mjekësisë, të cilin e ndjek në Basel nga viti 2002 deri ne diplomimin, në vitin 2008.

Të gjithë ata që studiojnë për mjekësi, e dinë që rruga për t’u bërë mjek nuk është edhe aq e lehtë. Edhe për (tashmë) dr. Mentorin vlente e njëjta gjë. Ai, pas përfundimit të studimeve 6-vjeçare, nga 2009 punon dy vjet si mjek në kirurgji abdominale e më pas 1 vit në urologji. Pastaj fillon specializimin në Mjekësinë Interne në Klinikën Universitarë në Aarau, ku prej 2012 ushtron veprimtarinë e tij si mjek. Ndërsa në vitin 2014, në sajë të përvojës dhe specializimit të kryer, avancohet në pozitën e Kryemjekut (Oberarzt) në Aarau.

“Dëshira dhe vullneti për të realizuar këtë të parën, janë çelës i çdo suksesi“, rrëfen për albinfo.ch Dr. Mentor Bilalli.

Si hapi i madh i radhës për Mentorin ishte specializimi i dytë, ai në Gastroenterologji dhe Hepatologji, në Klinikën Universitare të Zürichut, gjë të cilën e kryen në periudhën 2015-2018, vit në të cilin edhe këtu merr pozitën e Kryemjekut.

Në Spitalin Universitar të Zürichut, si një institucion mjekësor mjaft prestigjioz në Evropë, Mentori, pos një përvoje të madhe dhe shumë të vlefshme, arrin përfundimin e subspecializimit në Endoskopinë Intervencionale.

Përvoja e akumuluar në këtë institucion do t`i shërbejë doktorit më pas në udhëtimin e tij të radhës… Ai braktis qytetin më të madh zviceran, Zürichun, për të marrë përsipër pozitën e Drejtorit apo shefit të Klinikës së Gastroenterologjisë dhe Hepatologjisë në SRO të Langenthalit në Kantonin e Bernës. Në të njëjtën kohë ai është edhe drejtor i qendrës së Endoskopisë në ordinancën “Gastroenterologie Oberaargau AG” të po këtij spitali.

“Qëllimi im parimor asnjëherë nuk ka qenë të menaxhoj ndonjë institucion mjekësor, por vetëm se të bëhem një mjek shumë i mirë e t`i ndihmoj njerëzit atëherë kur kanë më së shumti nevojë“. Kështu shprehet për albinfo.ch Dr. Mentor Bilali, nën urdhrat e të cilit në SRO të Langenthalit janë 26 punëtorë, përfshirë këtu mjekë, specializantë, infermiere, sekretare etj.

Duke punuar për një kohë të gjatë si mjek, ai vlerëson si sukses të tij secilin trajtim të secilit pacient, kur ata ia besojnë duarve të doktorit, gjënë më të vlefshme në jetën e tyre, shëndetin.

Edhe pse ai ka kaluar nëpër të gjitha fazat e shkollimit në Zvicër, si një i “huaj“ që ishte, Mentori asnjëherë nuk kishte vërejtur se ishte trajtuar ndryshe nga kolegët e tij zviceranë apo të tjerë, për ç’gjë i është shumë mirënjohës Zvicrës që i ka mundësuar një shkollim të tillë.

Fakti se ka qenë shqiptar, nuk e ka penguar asnjëherë, por ai ka zgjedhur të integrohet në mënyrën më të mirë. Sepse sot, sipas Mentorit, komuniteti shqiptar i mirintegruar në shtetin helvetik, përbën një pjesë të rëndësishme të Zvicrës.

Por, kur jemi te falënderimet për arritjet dhe sukseset e tij, në radhë të parë janë pa dyshim prindërit e Mentorit, ndikimi i të cilëve dhe shtytja kanë meritat kryesore tek ai.

Pos punës së tij në institucionet e shumta deri tash në Zvicër, Dr. Mentori është edhe në kryesi të Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, ku jep kontributin e tij të vlefshëm.

I zhvendosur para shumë vjetësh në Gjilan, ai mban lidhje shumë të ngushta me vendin e prejardhjes, si në aspektin privat, por edhe atë profesional.

Këtë vit, në kuadër të Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, dr. Mentori do të jetë në organizim të „Swiss Medical School“, ku së bashku me kolegë të tjerë nga Zvicra do të ligjërojnë për profesionistët e rinj nga Kosova.