Kosova

Pajtimi pas luftës – një rrugëtim i gjatë dhe i mundimshem

Rrëfejnë:  shqiptarja e Kosovës, Igballe Rogova dhe serbja e Kosovës, Nevenka Rikalo

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në qershor të vitit 1999, pra gati 25 vjet, Bashkimi Evropian, SHBA dhe OKB kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të “normalizojnë” marrëdhëniet me njëra tjetrën. Se sa pak sukses kanë pasur këto përpjekje deri më tani në nivel politik, mund të lexohet vazhdimisht në media. Por si qëndrojnë gjërat në Kosovë në nivel personal, mes popullatës shqiptare dhe asaj serbe të Kosovës? Se si është i mundur afrimi mes njerëzve që janë armiqësuar përmes trysnisë dhe luftës na tregojnë: shqiptarja Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive  e Rrjetit të grave “Rrjeti i Grave të Kosovës” dhe serbja Nevanka Rikalo, themeluese e organizatës së grave serbe “Ruka+Ruci” (dora dores).

Pajtimi nuk blihet

Pak pas luftës në Kosovë, Igballe Rogova kritikonte presionin e aktorëve ndërkombëtarë për pajtim të popullatës shqiptare dhe serbe të Kosovës. “Ne kemi se pari nevojë për shërim , lërnani vetë të vendosim se kur është koha për pajtim. Për procesin e shërimit, neve na duhet kohë dhe vetëm atëherë mund të flasim për paqe të vërtetë dhe mirëkuptim të ndërsjellë”, thoshte ajo në atë kohë. Në tetor të vitit 1999, një donator i huaj i ofroi asaj 10 000 dollarë për punën e pajtimit për rrjetin e grave. Ajo i refuzoi paratë dhe tani është e bindur se kjo ka qene gjëja e duhur: “Pajtimi nuk blihet!”, thekson ajo. Organizatat e grave në Kosovë ishin gjithsesi  të parat që u përpoqën të kapërcejnë ndarjet etnike pas luftës.

Mbi njëzet vjet më vonë, Igballe Rogova – e njohur si Igo – i përgjigjet pyetjes sime nëse tani është koha për pajtim: “Ne ende nuk kemi paqe të vërtetë. Ende nuk ka drejtësi, nuk ka ende situatë të qartë me Serbinë.Populli i Kosovës ende ka nevojë për shërim.” Ajo na rikujton se kërkimi i njerëzve të zhdukur gjatë luftës nuk ka përfunduar ende.

Po ashtu edhe sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt 2022 si në vendet e tjera që përjetuan luftë – edhe ne Kosove rizgjoi traumat tek shume njerëz.

Përpos kësaj, incidentet në mënyrë të përsëritur shkaktojnë frikë, posaçërisht sulmi i terroristëve serbë më 24 shtator 2023 në Banjskë, në veri të Kosovës.

“Ne nuk ndihemi të sigurt”, thotë Igo, “ne e dimë se Serbia po përpiqet të ndryshojë historinë”.

E megjithatë gjatë viteve gratë kanë ndërmarrë shumë hapa drejt afrimit ndërmjet grupeve të ndryshme etnike në Kosovë. Kjo ishte një preokupim për Igon qysh në vitet 1990. Motivimi i tyre për kontakte dhe mirëkuptim përtej kufijve etnikë ka të bëjë shumë me “Gratë në të Zeza” të cilat ishin shumë aktive në Jugosllavi – veçanërisht në Beograd – kundër luftës dhe shtypjes së regjimit të Millosheviqit. “Unë isha me Gratë në të Zeza për herë të parë në vitin 1995 dhe këto kontakte ndryshuan jetën time, ishte një përvoje feministe për mua. E kuptova se fajin për shtypjen e popullatës shqiptare në Kosovë e kishte regjimi i Millosheviqit dhe jo populli serb. Prej aty pata një vizion se si gratë serbe mund të përfshiheshin në aktivitetet tona”. Këtë vizion, për përfshirjen e grave serbe ne aktivitetet e grave në Kosovë, filloi Igo  ta zbatojë  shumë shpejt pas Luftës së Kosovës.

Falë përkrahjes së vendeve te huaja, shumë organizata të reja të grave u shfaqën në mbarë Kosovën dhe gratë e përkushtuara themeluan organizatën ombrellë të organizatave të grave, Rrjeti i Grave të Kosovës, të cilin Igo e udhëheq edhe sot e kësaj dite me shumë energji dhe përkushtim. “Rrjeti u vetëfinancua për tre vitet e para,” thotë ajo. “Gjatë takimeve tona, secili kemi bërë një grumbullim te parave  për të paguar përkthyesit serb dhe anglisht. Edhe kur asnjë grua serbe nuk merrte pjesë në takime, ne kishim gjithmonë përkthime në serbisht; kjo ishte kultura jonë mikpritëse.”

Ndërtimi i  besimit,  hap pas hapi

Në vitin 2001, gruaja e parë serbe mori pjesë në takimet e rrjetit. Ishte Nevenka Rikalo – shkurt Nena – nga organizata e grave serbe “Ruka + Ruci”

Se si ndodhi kjo është një histori shumë emocionuese për Igon. “Përveç përfaqësuesve nga rajoni, në takimet e ‘Gratë në të Zeza’ morën pjesë edhe përfaqësuese nga organizatat ndërkombëtare, përkatësisht nga organizata suedeze e grave ‘Kvinna till Kvinna’, e cila hapi zyrën në Kosovë menjëherë pas luftës. Përmes saj mora informacion se një serbe në Kosovë donte të themelonte një organizatë të grave dhe kërkonte mbështetje. Ajo kishte marrë njoftimin nga kushërira e saj nga Bosnja për të më pyetur mua; por meqë nuk më njihte, iu drejtua “Kvinna till Kvinna”. Kur mora telefonatën, u habita dhe thashë: ‘Vërtet? OK, do ta takoj këtë grua”. Por në atë kohë ende nuk ishte e mundur që një grua shqiptare të takohej aq lehtë me një grua serbe. Kështu që dikush nga ‘Kvinna till Kvinna’ më çoi me veturën e tyre te Nena në Fushë Kosovë, komuniteti me shumicë serbe rreth pesë kilometra nga Prishtina. Së bashku folëm serbisht. Megjithatë, para se të flisnim për punën, thashë se doja që ajo të dëgjonte fillimisht historinë time përpasojat e luftës. I tregova se si unë, nëna ime e vjetër, një vëlla dhe një motër u dëbuam nga shtëpia jonë në Prishtinë nga policia serbe dhe u dërguam në stacionin e trenit ku treni me mijëra njerëz duhej të na çonte në Maqedoni. Pastaj pasuan pesë ditë të tmerrshme të ftohtit dhe shiut në qiell të hapur në Bllacë, në tokën e askujt ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, derisa Maqedonia na la të hyjmë në vend. Unë thashë gjithashtu se fqinji ynë serb në Prishtinë kishte treguar në polici se familja jonë ishte ende e fshehur në shtëpi kur filluan dëbimet. Nena kishte lot në sytë e saj kur dëgjoi historinë time – edhe pse për fat të mirë askush nga familja ime nuk u vra. Kur mbarova së foluri, ajo më pyeti nëse mund të fillonim tani. Unë thashë jo, tani dua të dëgjoj historinë tende”.

Nena është inxhiniere ndërtimi dhe në atë kohë punonte në komunën e Fushë Kosovës. “Gjatë luftës së viteve 1998/99 ne shkuam çdo ditë në zyrë, por nuk mund të punonim shumicën e kohës, pati demonstrata të mëdha nga shqiptarët dhe më pas bombardimet e NATO-s në pranverën e vitit 1999”. A e mban mend vizitën e parë të Igos në 2001? “Po, burri im Bora hapi derën dhe Igo, i cili shoqërohej nga një punonjëse e ‘Kwinna till Kwinna’, e pyeti nëse do ta lejonim të hynte. Burri im tha: “Nëse jeni njerëz të mirë, hyni”. Dëgjimi i historisë së Igos ishte i vështirë për mua, nuk ishte një histori e bukur. Është e vështirë të largohesh dhe të mos dish se çfarë po ndodh, ku po shkon, është zemërthyese. Por kjo nuk ishte përvoja ime në atë kohë. Si munden këta njerëz të lënë gjithçka? Në vitin 2004, kur na u desh të iknim vetë, e kuptova më mirë”. Kjo përvojë do të diskutohet më vonë.

Igo, e cila e vizitonte rregullisht Nenën derisa ajo iu bashkua Rrjetit të Grave të Kosovës në vitin 2001, një ditë pati ndjenjën se Nevenka ishte ndrojtur. Çfarë po ndodhte? Së fundi, ajo i tha asaj se burri i saj Bora po e ngacmonte dhe i thoshte se Igo nuk erdhi tek ajo nga miqësia, por për shkak të parave, ose sepse organizatat që punonin në baza multietnike merrnin para nga organizata të huaja për projektet. Igo e kuptoi që tani që kishte besim mes tyre, duhej të fitonte edhe besimin e Borës.

Kohë më vonë, Igon e telefoi Bora, i cili i tregoi për një djalë të vogël serb në lagje, i cili nuk mund të fliste sepse nuk dëgjonte asgjë. Bora e pyeti nëse mund ta ndihmonte; në Beograd mund t’i vendosnin një aparat dëgjimi që kushtonte 1700 marka gjermane, kështu që ai do të mësonte të fliste. “A e keni provuar tek UNICEF-i?” pyeti Igo. “Po,” tha ai, “por atyre u duhen gjashtë muaj për të miratuar një projekt të tillë.” “Ok, thashë, nëse mund të mbledhësh 700 marka gjermane nga serbët, unë do të mbledh 1000 marka gjermane nga shqiptarët”. “Nga shqiptarët?” pyeti ai me mosbesim. “Po!” Igo filloi të grumbullonte nga familja dhe të afërmit e saj, më pas shkoi tek miqtë e saj të shumtë të huaj dhe së fundi në rrjetin e grave. “O Zot, nuk do ta harroj kurrë këtë ditë,” thotë ajo. “Kam folur pesëmbëdhjetë minuta për djalin e vogël dhe pse po mbledh para për të dhe vetëm në fund thashë: “Është një fëmijë serb”. Për një moment në dhomë u bë heshtje e plotë dhe nuk e dija se si do të reagonin gratë, nëse do të zemëroheshin. Por jo, të gjithë u futën në xhepat e tyre dhe secili dha atë që mund të jepte. Brenda dy javësh kisha mbledhur 1000 marka gjermane dhe Bora gjithashtu kishte mbledhur 700 marka gjermane. Ai nuk mund ta besonte se e kisha bërë atë dhe ua tregoi historinë shumë njerëzve. Fillova të merrja telefonata nga njerëz që nuk jepnin emra dhe thjesht thoshin fjalën ‘hvala’, faleminderit serbisht dhe e mbylla telefonin. – Bora vdiq disa vite më parë, por sa herë e mendoj, më vjen ndërmend kjo histori”.

Të bashkohemi kundër frikës dhe për të drejtat tona

Pas luftës së viteve 1998/99, kur u kthyen të shpërngulurit shqiptarë, një pjesë e madhe e popullatës serbe u largua nga Kosova, dhe ata që mbetën, si Nevenka dhe familja e saj, jetonin me frikën e hakmarrjes shqiptare. “Ka pasur sulme nga të rinjtë shqiptarë ndaj nxënësve serbë dhe femrat janë fyer në treg. Prandaj ne gratë filluam të organizohemi dhe të luftojmë për të drejtat e popullit serb. Ne punuam me ‘Kwinna till Kwinna’ dhe udhëtuam me mjekë dhe infermierë në fshatra ku popullata serbe nuk mund të shkonte te mjeku. Ne i çuam ankesat tona në zyrën e OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) dhe i inkurajuam njerëzit të raportonin çdo abuzim, çdo padrejtësi. Më vonë nuk jemi marrë më ekskluzivisht me të drejtat e njeriut, jemi kujdesur për çështjet si shëndetësia, dhuna në familje, gjendja ekonomike, kultura, e drejta pronësore etj. Qysh në vitin 2000 kam marrë pjesë në “Iniciativën e Grave të Kosovës, lançuar nga UNHCR. Megjithatë, në takime mund të shkoja vetëm nëse më merrte Igo, përndryshe ishte e rrezikshme për mua si serb. Takimin e parë e mbaj mend si të pakëndshëm. Unë isha i vetmi serb në dhomë – Igo ishte i zënë në një dhomë tjetër – dhe gratë shqiptare erdhën tek unë dhe bërtisnin gjëra të tilla si: ‘Pse keni ardhur këtu? Ju serbët ma keni vrarë burrin, fëmijët e mi!’. Ata ishin plot urrejtje dhe nuk dija çfarë të bëja. Pastaj dëgjova një fishkëllimë dhe pashë Igon e cila ju drejtua ‘Çfarë ka, të ka lënduar Nena në ndonjë mënyrë? Njëra nga gratë erdhi tek unë, foli serbisht dhe më solli ujë. Isha shumë mirënjohëse ndaj saj! Pas kësaj kemi punuar së bashku, ajo ishte nga organizata ‘Open Door/Offene Türe’”.

Në vitin 2001, Nena u bë anëtarja e parë serbe e Rrjetit të Grave të Kosovës. Igo kujton se Nena u trajtua me armiqësi nga disa serbë. “Por falë këmbënguljes së saj, tani kemi në rrjet gra serbe që e kishin kritikuar Nevenkën në atë kohë. Rreth dhjetë organizata serbe tani janë anëtare të rrjetit, i cili ka gjithsej rreth 160 organizata. Kontakti me gratë serbe nuk ishte gjithmonë i lehtë për mua, përqafimi me ne nuk ishte i dhënë pas luftës. Edhe unë jam trajtuar me armiqësi për shkak të këtyre kontakteve, por unë jam feministe dhe kam dashur dhe dua ta bëj këtë, dua rrjetin multietnik. Nga familja ime kam mësuar të mos mbaj mëri dhe të fal.

Nena thotë se babai i saj ishte makinist dhe ata jetonin në stacionin e trenit në Fushë Kosovë, ku kishte edhe fqinjë shqiptarë. “Si fëmijë kam luajtur me fëmijët e lagjes shqiptare, shqiptarët na flisnin serbisht, as që e kishim menduar që të mësonim shqip”, thotë ajo duke qeshur. Ajo sot e kësaj dite nuk flet shqip, ndryshe nga bashkëshorti i saj i ndjerë, i cili fliste shqip.

Shpërthimi i dhunës ndaj popullatës serbe

Në mesin e marsit 2004, pati demonstrata të dhunshme dhe trazira nga demonstruesit shqiptarë kundër popullatës serbe në Kosovë, gjë që bëri që përçarjet mes dy grupeve të popullsisë të thelloheshin sërish. Shkaktari ishte mbytja e dy fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër, që ndan qytetin e Mitrovicës në veri dhe në jug, dhe serbët u fajësuan rrejshëm për aksidentin. Nena ka përjetuar trazirat në vendlindjen e saj në Fushë Kosovë. “Më 17 mars 2004, në orën 14, shefi im më tha të shkoja në shtëpi, se kishte probleme dhe se KFOR-i kishte mbyllur rrugën afër Çagllavicës për shkak të protestave të shqiptarëve. Djali im 12-vjeçar ishte tashmë në shtëpi, burri im jepte mësim në Ugljare dhe ishte bllokuar atje për shkak të mbylljes së rrugës. Me mamin sillnim derrat dhe pulat në shtëpi dhe i ushqenim. Kur dëgjuam zhurmë, nëna doli jashtë për të mbyllur grilat në rast se do të hidheshin gurë në shtëpinë tonë. Por pastaj një turmë e madhe të rinjsh me flamuj shqiptarë erdhi drejt shtëpisë sonë. Tre prej tyre sulmuan nënën time me shkopinj. Dola menjëherë dhe e kapa djalin që po godiste nënën e tij, ia hoqa shkopin dhe e tërhoqa zvarrë nënën e plagosur në shtëpi. Ajo kishte lëndime në qafë dhe krah dhe një klavikulë të thyer dhe ishte në rrëmujë të plotë. Ky sulm ishte traumatik edhe për djalin tim. Pasi protestuesit kishin lëvizur, shkova te policia që ishte shumë afër, policia e UNMIK-ut (Misioni i OKB-së në Kosovë). Na morën me një makinë policie dhe na çuan në qendrën komunitare ku kisha zyrën time. Stresi ishte aq i madh sa mora me vete vetëm çantën.

Ne humbëm gjithçka, shtëpia u dogj në këto ditë trazirash, si shumë shtëpi të tjera serbe. Policia solli shumë familje serbe në qendrën e komunitetit atë natë. Për shkak se emrat e rrugëve u ndryshuan pas luftës dhe ngaqë policët e huaj nuk e kuptonin gjuhën, u ofrova të shkoja me ta në adresat e duhura. Djali im ishte i frikësuar dhe nuk donte që unë të largohesha, por i thashë se njerëzit kishin nevojë për ndihmë. Ne po merrnim njerëzit në shtëpi deri në orën 4 të mëngjesit. Në qendrën shëndetësore kam kërkuar ndihmë për nënën time të lënduar. Me mua erdhi një mjek, por kur kuptova se e vetmja gjë që kishte me vete ishin fashat për kujdesin e plagëve, u zemërova dhe e largova.

Më në fund erdhën KFOR-i (forcat e NATO-s në Kosovë) dhe na morën të gjithëve në një autobus të KFOR-it. Na pyetën kush do të shkonte në Serbi apo diku tjetër, familja jonë nuk donte të shkonte në Serbi, unë kisha një motër në Ugljare, një fshat vetëm pak kilometra larg Fushës së Kosovës dhe kështu na lanë të zbrisnim atje. Isha i indinjuar sepse KFOR-i nuk na kishte mbrojtur dhe tani po qëndronim në një fushë pa asgjë. Shkuam te motra ime, e cila jetonte rreth një kilometër larg. Ndërkohë atje kishte mbërritur edhe burri im Bora. Një nip i tij erdhi nga Graçanica dhe na çoi në shtëpinë e tij. Nëna ime e plagosur më në fund mori trajtim mjekësor atje. Prindërit e mi qëndruan në banesën e nipit të Borës, ndërsa Bora, djali im dhe unë mundëm të qëndronim me motrën time të dytë në Graçanicë”.

Solidaritet përtej përçarjeve etnike

Ishte një surprizë e bukur kur Igo i telefonoi Nenës pak pas 17 marsit 2004 dhe e pyeti se si po kalonte dhe nëse mund ta takonte. “Ajo erdhi në Graçanicë dhe e këshillova që ta parkonte veturën e fshehur pas shtëpisë me targa kosovare”, thotë Nena. Në atë kohë, shumica e serbëve në Kosovë kishin ende targa serbe. Igo i solli familjes 250 dollarë, të cilat Nena fillimisht refuzoi t’i pranonte, por Igo këmbënguli se këto para do t’i duheshin tani për sende personale, veshje etj. “Më pas ia dhamë paratë motrës së burrit tim, e cila po lëvizte në Serbi dhe i duheshin më urgjentisht. Vizita e Igos dhe ky gjest ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për mua pas ngjarjeve të 17 marsit, duke shëruar plagët dhe duke rindërtuar besimin tim te femrat shqiptare. Igo ka ndihmuar edhe organizatat tjera joqeveritare serbe me para nga organizatat e huaja, të ashtuquajturat ndihma emergjente, por për këtë nuk u fol me zë të lartë.

Shtëpitë serbe të djegura në vitin 2004 u rindërtuan një vit më vonë, por para se banorët e tyre të ktheheshin në shtëpi, ato u dogjën përsëri. “Ne kishim humbur gjithçka, përfshirë biznesin e vogël të pjekjes së kafesë që kishim drejtuar. Por im shoq vajtoi vetëm bibliotekën e madhe, të gjithë librat që kishte mbledhur ndër dekada”, thotë Nena me një buzëqeshje të trishtuar. Vite më vonë, familja mundi të shpërngulet në një banesë në fshatin Llaplla Sellë, që i përket komunës së Graçanicës. Por ajo nuk ndihet realisht si në shtëpinë e saj, edhe pse shumica dërrmuese e banorëve janë serbë të Kosovës. “Fshatarët nuk na pranojnë vërtet; për ta ne jemi ende qytetarë nga Fushë Kosova,” thotë ajo.

Kërkim falja

Igo rikujton një eksperiencë të vitit 2006 që është shumë e rëndësishme për të edhe sot. Në vitin 2006, negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë filluan në Vjenë nën udhëheqjen e ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari për statusin e ardhshëm të provincës serbe të Kosovës, e cila është nën administrimin e OKB-së. Organizatat e grave nuk ishin të përfaqësuara në delegacione. “Rrjeti i Grave të Kosovës” dhe “Gratë në të Zeza” nga Beogradi formuan “Koalicionin e Grave për Paqe”. Ata kishin lidhje me dikë në zyrën e Ahtisaarit dhe për këtë arsye e dinin se cilat tema do të diskutoheshin në takimin e ardhshëm. “Ne gratë jemi takuar para këtyre takimeve, kemi diskutuar temat dhe konkluzionet ua kemi dërguar dy qeverive dhe Martti Ahtisaarit, të cilin gjithashtu kemi mundur ta takonim një ose dy herë. Pastaj vendosëm të takoheshim në Strugë (Maqedoni – tani Maqedonia e Veriut) për një konferencë.”

Igo rikujton se si qëndronte në skenë me Stasha Zajoviq nga “Gratë në të zeza” për të hapur takimin. “Pastaj Stasha më tha të ulesha, kishte ende diçka për të bërë. Në fillim refuzova, sepse çfarë do të thoshin kolegët e mi shqiptarë kosovarë nëse një serb do ta hapte konferencën vetëm? Por ajo insistoi dhe unë i besova dhe u ula, edhe pse njerëzit që ishin ulur pranë meje protestuan. Por më pas erdhën te ne të gjitha gratë serbe dhe njëra pas tjetrës na kërkonin falje për atë që kishim vuajtur në luftë. Ka qenë një moment shumë emocionues për femrat dhe duke qenë se nuk kanë munguar gazetarët e televizionit, kjo skenë ka qenë e përhapur në media. Në kthim, doganierët e Kosovës uruan shqiptarët e Kosovës, ndërsa serbët u ofenduan në doganën serbe gjatë udhëtimit për në shtëpi.

“Është kaq e rëndësishme edhe sot që ne dëgjojmë një kerkim falje nga pala serbe për atë që kemi vuajtur. Më vonë këtë e bëri edhe një politikan i opozitës serbe, por të parat ishin Gratë në të Zeza të Beogradit. Nëse presidenti Aleksandër Vuçiq do të deklaronte se ishte pjesë e regjimit të Millosheviqit – ishte ministër i informacionit – por tani situata është ndryshe, nëse ai e pranon Kosovën si vend dhe kërkon falje për krimet e luftës – kjo do të ishte parajsë! Por kjo nuk do të ndodhë me Vuçiqin. Ndoshta me vone”.

Ndjenja të ndryshme për atdheun

E pyetur për marrëdhëniet në Rrjetin e Grave të Kosovës mes grave shqiptare dhe serbe si dhe grave nga minoritetet tjera, Nena thotë se ka qenë e rëndësishme të flitet për ngjarjet e luftës dhe gjatë trazirave, për masakrat, për humbjet e pësuara. “Ishte pikëllimi dhe puna së bashku. Jam krenare për lëvizjen tonë për të punuar së bashku përtej kufijve etnikë. Aktivitetet e përbashkëta na japin forcë për të luftuar për barazi dhe për të gjetur strategji për të luftuar dhunën ndaj grave dhe të gjitha kufizimet që vuajnë gratë e të gjitha grupeve etnike në Kosovë.

Me gjithë mirëkuptimin e ndërsjellë, Nena ruan krenarinë e saj kombëtare serbe. “Të gjithë e kemi patriotizmin tonë, ndoshta i imi është pak më i fortë se ai i Igos”, thotë ajo duke qeshur, “në zemër jam serbe dhe presidenti im është Aleksandër Vuçiq – por e di që jetoj në Kosovë”. Për Igon, nga ana tjetër, Kosova është padyshim vendi i saj, edhe nëse ndihet pjesë e grupit etnik shqiptar, i cili përveç Shqipërisë është i përfaqësuar edhe në Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe ajo ëndërron ditën kur Serbia më në fund do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, siç e kanë bërë prej kohësh mbi njëqind shtete.

Igballe Rogova (Igo), e lindur në vitin 1961, e rritur në Prishtinë, themeloi organizatën e grave “Motrat Qiriazi” me motrën e saj Safete në vitin 1989 (me emrin e motrave Sevasti dhe Parasqevi Qiriazi, të cilat hapën shkollën e parë në gjuhën shqipe në Shqipëri në shekulli i 19-të), i cili fillimisht bëri fushatë të fuqishme për arsimimin e grave në rajone rurale. Pas luftës, kur u shfaqën organizata të reja të shumta të grave, u themelua organizata ombrellë “Rrjeti i Grave të Kosovës”, të cilën Igballe Rogova e ka udhëhequr që atëherë.

Nevenka Rikalo (Nena), e lindur më 1957 në Prishtinë dhe e rritur në Fushë Kosovë me shumicë serbe nga Kosova. Themeluese e organizatës së grave “Ruka + Ruci” (Dorë + Duart), e cila bën fushatë për të drejtat e grave dhe mbështetjen e të ardhurave dhe ofron këshilla ligjore dhe ndihmë psikosociale falas.

 

Autorja e intervistës, Elisabeth Kaestli është një shkrimtare dhe gazetare zvicerane, mike e shqiptarëve dhe e Kosovës, autore e disa librave me tematikë kosovare. Këta janë librat e saj: “Gratë nga Kosova” 2002, “Hendeqe de Ura – Miqësitë në Ballkan para dhe bas luftërave” 2005, “Shtatë vëllezër shtatë motra – Një familje kosovare nëpër botë”, 2014.

Këtë artikull e ka ofruar për botim ekskluzivisht në Albinfo.ch.

 

Përkthimi në shqip: Arjeta B. Mullavda