Maqedonia
Remitencat në Maqedoninë e Veriut, vetëm për nevoja familjare
Të hollat që nisen prej diasporës në para të gatshme dhe përmes transfereve bankare, tregojnë se këto mjete e kanë komponentin social dhe jo atë zhvillimor. Kështu vlerësojnë afaristët në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë nëntë muajve të parë të vitit të kaluar, janar-shtator 2023, në bazë të të dhënave të Bankës Popullore maqedonase, mërgimtarët kanë dërguar në Maqedoni të Veriut, 257 milionë euro përmes bankës ose mënyrave tjera për transferim të shpejtë të parave, raporton ReL, përcjell Albinfo.ch.
Kjo shifër është rreth 100 milionë euro më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2022, kur shuma kishte arritur në 351 milionë euro.
Po në bazë të dhënave të Bankës Popullore, remitencat që kanë hyrë në Maqedoni të Veriut si para të gatshme, në atë periudhë të vitit të kaluar, kanë arritur në 1.5 miliard euro, dhe shifra është 6.5 për qind më e lartë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
“Rrallëherë ndonjë nga mërgimtarët kthehet këtu për të zhvilluar biznes. Investimet kryesisht kanë të bëjnë me objektet e banimit, dhe ne këtë lloj investimi e cilësojmë si kapital të vdekur. Në qytetin tim mund të shohësh shumë shtëpi të bukura, por ato janë të mbyllura”, thotë Angel Dimitrov, i cili është nga qyteti Sveti Nikole, në lindje të Shkupit.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, prej Sveti Nikoles janë shpërngulur më shumë se 3.000 banorë brenda një dekade.
Dimitrov thotë se “mërgimtarët nuk besojnë se në kushtet tona mund të zhvillojnë me sukses biznes, pasi kemi të bëjmë me një burokraci dhe partizim të institucioneve”.
“Për këtë arsye, kur mërgimtarët kanë para të tepërta, ata vendosin t’i blejnë dy apartamente në Shkup, dhe nuk preferojnë të investojnë në biznes, aksione apo para me vlerë”, thotë Dimitrov.
Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se remitencat vazhdojnë të mbulojnë një pjesë të madhe të deficitit tregtar, duke ofruar mbështetje të konsiderueshme për rezervat devizore dhe stabilitetin e kursit të këmbimit.
Ai beson që në momentin kur remitencat e mërgimtarëve tejkalojnë vlerën e investimeve të huaja, ata duhet të gëzojnë po të njëjtat privilegje që kanë investitorët e huaj, e që kanë të bëjnë me lehtësimet rreth pagesës së tatimit.
“Pse të mos trajtohen edhe mërgimtarët tanë, që kanë hapur bizneset e tyre këtu, ashtu sikurse investitorët e huaj, për shkak se ne kemi më shumë kompani që veprojnë edhe këtu në Maqedoninë e Veriut, por edhe në vendet e Evropës, edhe më larg, dhe pse këto mjete të mos alokohen si investime në biznes, duke përfituar nga benifitet që ofron Maqedonia e Veriut për investitorët e huaj, si ato tatimore, por edhe procedurale, që ata të stimulohen të investojnë në Maqedoninë e Veriut?” pyet Zeqiri.
Sipas tij, hapa të tillë do të mund të kishin ndikim të dyfishtë, pasi pjesëtarë të diasporës do të nxiteshin për investime, dhe kështu do të krijoheshin vende të reja pune, do të avancoheshin pajisjet teknologjike, e tjera.
Në Maqedoninë e Veriut për dy dekada, ndërmjet regjistrimeve të vitit 2002 dhe 2021, numri i banorëve është zvogëluar për gati 200 mijë njerëz, pra nga 2 milionë, në vend jetojnë 1.8 milion banorë.
Durim Zeqiri thotë se nëse remitencat nuk kanalizohen në investime, atëherë gjeneratat e reja, dhe ato në ardhje, do të shkëpusin çfarëdo lidhje me vendin dhe në atë rast remitencat do të shënojnë trend negativ./Albinfo.ch/
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
Jeta në Zvicër
-
Rritja e taksave turistike e planifikuar për Crans-Montana nxit zemërimin e pronarëve Resorti Valais i Crans-Montana planifikon të rrisë taksat turistike nga 3 në 5 franga për natë...
-
Policia ndalon trafikun në tunelin Gotthard për shkak të borës
-
Bora pengon qarkullimin rrugor në Alpe
-
Çmimet e ndërtimit janë ende në rritje, por jo në Ticino
-
A janë zviceranët dorështrënguar?