Maqedonia

Gjermania ndalon hyrjen me pasaportën e vjetër të Maqedonisë së Veriut

Pasaporta e Maqedonisë me emrin e vjetër mund të jetë ende në përdorim në disa vende evropiane, por jo në Gjermani. Burime diplomatike për “Deutsche Welle” thanë se pasaporta pa emrin e ri kushtetues të shtetit mund të përdoret për të dalë, por jo për të hyrë në vend, përcjell albinfo.ch.

Ata shtojnë se autoritetet gjermane po bëjnë gjithçka për të lehtësuar gjendjen e qytetarëve të Maqedonisë që nuk arritën të pajisen me pasaportë me emrin e ri kushtetues dhe se ndihma ka për qëllim para së gjithash mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Kjo do të thotë se qytetarët e Maqedonisë mund të përdorin pasaportat e tyre me emrin e vjetër kushtetues për identifikim personal në Gjermani, por nuk do të mund të hyjnë në vend nëse nuk kanë dokument të ri udhëtimi me emrin Maqedonia e Veriut. Ndryshe nga deklarata e djeshme e ministrit teknik të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili tha se është turp që shteti t’i burgosë qytetarët e tij në shtëpi dhe dokumentet e udhëtimit me emrin e vjetër të vlejnë në shumë vende evropiane, ndër të cilat ai përmendi edhe Gjermaninë.