Lajme

Gjermani: Kapet shqiptari që kishte jetuar 4.5 vjet ilegalisht në Zonën Shengen

Ai kishte një vulë hyrëse hungareze nga janari i vitit 2019 në pasaportën e tij. Prandaj, ai kishte jetuar ilegalisht në BE për më shumë se 4.5 vjet

Në tunelin kufitar Füssen, Policia Federale ka ndaluar të premten tre persona të kontrabanduar.

Menjëherë pas mesnate, Policia Federale e Kemptenit ndaloi një makinë me regjistrim italian në tunelin kufitar Füssen, në të cilën ndodheshin tre shqiptarë, transmeton albinfo.ch. Sipas Policisë Federale, shoferi 29-vjeçar u identifikua me pasaportën e tij dhe një lejen italiane të qëndrimit. Por lejet italiane të qëndrimit të dy pasagjerëve të tij kishin kohë që kishin skaduar. 36-vjeçari madje nuk kishte me vete as pasaportën, shkruan ad-hoc-news.de.

Kur policia ka kontrolluar pasagjerin 34-vjeçar, ka gjetur një sasi të vogël kokaine, të cilën e ka sekuestruar dhe ka denoncuar personin në fjalë, i cili duhet të paguante një garanci prej 600 eurosh, për shkelje të ligjit për narkotikët.

Kështu, drejtuesi i mjetit u akuzua për tentativë për të kontrabanduar të huaj, ndërsa dy pasagjerët u akuzuan për tentativë për të hyrë në vend pa leje. Policia Federale më vonë e ka kthyer makinën me gjithë udhëtarët, mbrapsht në Austri.

Më pak se dy orë më vonë, një patrullë e Policisë Federale ndaloi një shofer tunizian, i cili ishte në gjendje të identifikohej siç duhet gjatë kontrollit të mëpasshëm. Mirëpo, teksa kanë kontrolluar pasagjerin e tij 31-vjeçar nga Shqipëria, policëve u ka ndodhur një surprizë, transmeton albinfo.ch. Ai kishte një vulë hyrëse hungareze nga janari i vitit 2019 në pasaportën e tij. Pa vizë, ai do të ishte lejuar të qëndronte në zonën Shengen vetëm për një kohë të shkurtër. Prandaj, ai kishte jetuar ilegalisht në BE për më shumë se 4.5 vjet.