Kosova

Sophie Sorschag, skitarja austriake që „fluturon“ për Kosovën

Me stil dhe teknikë unike, skijimi është më shumë se një sport dimëror, është një aventurë, një sfidë, dhe një mënyrë e jashtëzakonshme për të eksploruar bukurinë malore dhe të stinës së dimrit

Sophie Sorschag, është skitarja austriake, e cila së fundmi ka marrë vendimin e guximshëm për të përfaqësuar Kosovën, duke shënuar një kapitull të ri në rrugën e saj sportive.

Gjatë një bisede për albinfo.at, Sophie Sorschag tregon pse vendosi të largohej nga Austria dhe të bëhej pjesë e Kosovës në këtë sport.

“Për mua më e rëndësishmja është që unë përfaqësoj një komb, i cili e vlerëson punën time dhe më jep mundësinë të vazhdoj pasionin tim, kërcimin me ski. Unë jam me të vërtetë falënderuese për pritjen e ngrohtë që pata nga Kosova në përgjithësi, veçanërisht nga Federata e Skive dhe Komiteti Olimpik i Kosovës”, tregon sportistja Sophie Sorschag për albinfo.at.

Një lëndim i rëndë që skitarja austriake kishte pësuar para sa kohe, e la atë nëntë muaj jashtë këtij aktiviteti sportiv. Thyerja e ligamentit të gjurit bëri që Austria të mos e ftonte në garat në vazhdim që u zhvilluan në prillin e vitit të kaluar.

Duke e parë që tashme Austria ia kishte mbyll derën, skitarja austriake ka bërë sakrificë të madhe edhe në aspektin juridik, pasi siç dihet, Austria lejon vetëm pajisjen me një pasaportë. Asaj i është dashur të heq dorë nga pasaporta austriake, për ta marrë atë të Kosovës.

Debuton për Kosovën

Skitarja e kërcimeve me ski, Sophie Sorschag, më 1 dhjetor ka debutuar për Kosovën në Lillehammer të Norvegjisë në garat e Kupës së Botës.

Në këtë turne sportiv, Sorschag, në disiplinën e kërcimeve nga lartësia normale, arriti të hyjë në finale, ku doli e 33-ta, ndërsa në kërcimet nga lartësia e madhe, nuk arriti të hyjë në finale kështu që përfundoi edhe garimin në kupën e botës për këtë vit.

Njohuritë për Kosovën: Një lidhje që rritet

Edhe pse është një sportiste austriake, Sophie ka kërkuar aktivisht lidhje me sportistë nga Kosova. Megjithëse nuk i ka takuar ende ata, Sophie gjithashtu ndjek sportet e ndryshme të popullarizuara në Kosovë, duke treguar mbështetje për komunitetin sportiv.

“Kam qenë dhe jam në kontakt me disa sportistë të Kosovës. Nuk i kam takuar ende ballë për ballë, por mezi pres t’i njoh ata. Unë po i ndjek të gjitha sportet të cilat janë të njohura në Kosovë dhe kam simpati për të gjitha, veçanërisht për sportin që e kam ushtruar edhe vet një kohë, futbollin”, shprehet ajo.

Suksesi i saj gjatë karrierës: Medalja e artë në Botërorin 2021

Duke folur në lidhje me karrierën e saj në skijim, Sophie Sorschag identifikon medaljen e artë në Kampionatin Botëror 2021 në Oberstdorf si një moment të veçantë.

“Sigurisht që ishte medalja e artë në Kampionatin Botëror në Oberstdorf gjatë vitit 2021. Por, unë jam duke menduar edhe për fitoren e një prej stërvitjeve zyrtare në Lojërat Olimpike Pekin 2022”.

Ishte futbolliste e suksesshme: Doja më shumë sfida

Sophie Sorschag dikur ishte edhe futbolliste, madje këtë sport e dashuron shumë dhe kishte shënuar suksese. Roli i saj në fushën e futbollit ishte mesfushore dhe si e re luante te skuadra e SK Grafendorf/Obergailtal.

“Pavarësisht se kam qenë e suksesshme edhe në këtë sport, me të cilin merresha që në moshën 5-vjeçare, isha gjithmonë në kërkim të sfidave të reja. Pastaj gjeta kërcimin me ski, lloj sporti, për të cilën jam e pasionuar”, theksoi austriakja.

Përtej borës dhe skijimit: Studente, pianiste dhe e dashuruar pas familjes

Kur nuk është duke “fluturuar” me ski, Sophie merret me studimet e matematikës dhe teknologjisë së informacionit, ajo e balancon angazhimin akademik me karrierën sportive.

Sophie ndjen pasion për të luajtur piano dhe vlerëson kohën që kalon me familjen, veçanërisht me nipin e saj të vogël.

“Kur nuk jam duke skijuar në kodrën e kërcimit me ski apo në stërvitje për këtë sport, atëherë gjendem nëpër amfiteatro duke dëgjuar ligjërata të matematikës dhe teknologjisë së informacionit, në fakultetin ku unë studioj. Po ashtu më pëlqen të luaj edhe me piano. Në përgjithësi, mund të them se më pëlqen të kaloj kohë me familjen time, veçanërisht me nipin tim të vogël”.

Në një mesazh për fansat e saj, veçanërisht ata që e mbështesin në Kosovë, Sophie i fton të gjithë të bashkohen në këtë rrugëtim të përbashkët me pjesëmarrjen e saj duke e përfaqësuar Kosovën në shumë aktivitete të skijimit nëpër botë