Muzikë

Bashkatdhetarët e Gjenevës i bëjnë befasi këngëtares shqiptare për 50-vjetorin në skenë

Para pak ditësh, Shoqata “Komuniteti Shqiptar” dhe “Ansambli Gëzuar” në Gjenevë me rastin e jubileut të 50 – me këngën dhe skenën artistike të solistes shumë të çmuar, organizuan një befasi madhështore për artisten e vlerave të mëdha shqiptare – Shkurte Fejza, përcjell albinfo.ch.

Valltaret nga “Ansambli Gëzuar”, me spikatje nga veshjet kombëtare, pastaj prindër dhe anëtarë kryesie të shoqatës “Komunitetit Shqiptar” të mbledhur në sallën «Villa Tachinni» në Gjenevë me një prezencë madhështore dhe nën përcjellën e këngës «Mora fjalë» si dhe  duartrokitje të shumta, pritën artisten dhe bilbilin e këngës shqipe, të adhuruarën Shkurte Fejza. Kjo prezencë dhe kjo pritje aq e ngrohtë sikur emocionoi solisten, e cila në shenjë  falënderimi i përshëndeti ngrohtësisht mbi njëqind  të pranishëm të cilët ndodheshin aty.

Për një çast, fjalët u dukën të tepërta…

SHKURTE FEJZA

Mjeshtre e madhe

Mirë se erdhe në konakun tonë

50 të vite në skenë

Ikona jonë

Mikpritja, respekti dhe adhurimi për ikonën e këngës shqipe nuk qëndronte vetëm në këta rreshta, por gjithandej nga të pranishmit, të cilët kishin ardhur për ta uruar e takuar solisten.

Nga ana tjetër, këngëtarja shqiptare u shpreh: “Ishte befasia më e këndshme që kam përjetuar kohëve të fundit dhe nuk do ta harroj kurrë. Pritja që në aeroport dhe pastaj në selinë e Shoqatës ishte e mrekullueshme dhe ju falënderoj nga zemra. Vlerësimi me mirënjohje dhe prezentimi me aktivitetet dhe punën e palodhshme që po e bëni janë dhurata më e mirë për mua. Komuniteti shqiptar në Gjenevë është shembull se si ruhet dhe kultivohet tradita shqiptare kudo nëpër botë dhe do të shënohet me shkronja të arta në historinë më të re të Kosovës.

P.S. Nganjëherë ngjarjet ndodhin paplanifikuar sikur kësaj radhe dhe unë edhe zyrtarisht këtë ditë e shpall si fillim i kremtimit të 50-vjetorit të karrierës sime artistike, e cila do të kulmojë në Prishtinë e Tiranë”, u shpreh ajo. /Albinfo.ch