Lajme

Filmi shqiptar rrëmben dy çmime në Londër

Filmi “ Këtu vallëzohet me hijet” është vlerësuar me dy çmime kryesore në Londër

Filmi “Këtu vallëzohet me hijet” është vlerësuar me dy çmime kryesore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Londër, përcjell albinfo.ch.

Çmimet janë: Regjisori më i mirë, Pluton Vasi, dhe Aktorja më e mirë, Eri Shuke.

Filmi na përplas në dy kohë, atë të sotmen dhe periudhën komuniste, duke na bërë të reflektojnë nëse vërtet kemi ndryshuar apo jemi të njëjtit. Filmi vazhdon të vizualizohet ende në kinemanë Close Up në Londër.

Filmi vendoset në Shkodër. Ai na njeh me Florën, një gazetare shqiptare që rikthehet pas shumë kohësh në vendlindje dhe mëson historinë e dhimbshme të nënës së saj Miram dhe një drame familjare me hijet e së shkuarës. “Këtu vallëzohet me hijet” është nominuar për çmime edhe në festivale në Montreal, Sofie dhe Firence.

Karafil Shën mban rolin protagonist, me një interpretim të arrirë së bashku me Rovena Lulen. Në role të tjera janë Eri Shuka, Neritan Licaj, Eni Shehu, Juli Emiri, Johnny Pojani, Alert Celoaliaj, Nikol Gazheli etj.

Filmi me skenar të Bashkim Hoxhës, është një bashkëprodhim i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Këtu vallëzohet me hijet, vjen nën produksionin e Vjollca Dedeit dhe producentë ekzekutivë: Dionis dhe Klajd Papadhimitri, si dhe me muzikë të Hajg Zacharian.