Lajme

Zvicër: SVP mbledh nënshkrime për të kufizuar rritjen e popullsisë

Një përfaqësues i SVP-së (Partisë Popullore Zvicerane) ka njoftuar se kanë arritur të mbledhin 100,000 nënshkrimet e nevojshme për iniciativën për të kufizuar popullsinë në 10 milionë.

Parlamentari i Cyrihut, Thomas Matter ka thënë sot për Blick se iniciativa është gati, teksa njoftoi se rreth 110,000 nënshkrime ishin mbledhur që nga korriku i vitit të kaluar. Ai tani po u bën thirrje seksioneve lokale të Partisë Popullore që të kthejnë shpejt formularët e mbetur të nënshkrimeve.

Tutej ai ka thënë se partia synon t’i dorëzojë nënshkrimet në fund të marsit ose në fillim të prillit të këtij viti. Teorikisht, ka ende kohë deri më 4 janar 2025 për të mbledhur nënshkrime, transmeton albinfo.ch.

Nisma kërkon që kushtetutës zvicerane t’i shtohet një nen i ri mbi “zhvillimin e qëndrueshëm të popullsisë” dhe konkretisht kërkon që popullsia me banim të përhershëm të mos kalojë dhjetë milionë njerëz përpara vitit 2050.

Në rast se popullsia i kalon nëntë milionë e gjysmë, qeveria dhe parlamenti fillimisht duhet të marrin masa në fushën e azilit, sipas tekstit të nismës. Për shembull, pasi të tejkalohet pragu prej 9.5 milionë, personat e pranuar përkohësisht nuk do të mund të marrin më leje qëndrimi ose vendbanimi.

Nëse këto masa nuk janë të mjaftueshme, nisma kërkon anulimin e marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes me Bashkimin Evropian.