Lajme

Konfirmohet: Blinken, nga 14 deri më 17 shkurt për vizitë në Shqipëri dhe Gjermani

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka konfirmuar vizitën e sekretarit, Antony Blinken, në Shqipëri dhe Gjermani.

Sipas njoftimit, Blinken do të udhëtojë në Tiranë dhe Mynih nga 14 deri më 17 shkurt.

“Në Tiranë, Sekretari Blinken do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, thuhet në njoftim.

Në Mynih, Blinken do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë, si pjesë e delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga zëvendës presidentja Kamal Harris.

“Sekretari do të zhvillojë takime dypalëshe për të nënvizuar mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, për të vazhduar diskutimet me partnerët se si të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike. Sekretari Blinken do të bashkohet gjithashtu me partnerët ndërkombëtarë për një forum publik mbi multilateralizmin”, thuhet në njoftim.