Maqedonia

Kryetari i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët i reagon Taravarit rreth koalicionit me opozitën

Kryetari i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka reaguar pas deklarimit të liderit të kësaj partie, Arben Taravari, në lidhje me koalicionin me opozitën, transmeton albinfo.ch.

“Si kryetar i kuvendit qendror të Aleancës për Shqiptarët deri në këtë moment nuk jam i informuar për asnjë ofertë për koalicion me ndonjë parti tjetër politike. Nga takimet që kam zhvilluar se fundmi me kryetarët e degëve dhe strukturat e tjera partiake, po ashtu jam informuar se kërkush prej tyre nuk është në dijeni për ndonjë ofertë me shkrim, si bazë çka duhet të vendoset. Individi, në këtë rast kryetari i partisë nuk është organ vendimarrës, ka të drejtë të propozojë një organ që ka të drejtë vendimmarrës, e kjo është kryesia e partisë, që për momentin e ka një vendim, e ky është që Aleanca për Shqiptarët garon e vetme në zgjedhje”, ka shkruar ai.

Tutje Sela ka deklaruar se organ tjetër vendimarrës është kuvendi i partisë.

“Tendencat e kontrabandimit të partisë për llogari të nuk e di kujt nëpërmjet një statusi në Facebook është shkelje e rëndë e stautit të partisë për të cilën kryetari i partisë duhet të mbajë llogari përpara organeve të partisë. Përpjekjet për ta sqaruar qëndrimin e shprehur nëpërmjet rrjeteve sociale kryetari i partisë si vendim personal është akt qyqar që demton rëndë linjat ideologjike të Aleancës për Shqiptarët”, ka përfunduar ai.