Integrimi
Prodhuesit e reklamave të rreme tani po agjitojnë edhe kundër shqiptarëve
Në Instagram po qarkullon një reklamë ku shkruhet për vrasjen e dyshuar nga "bandat shqiptare" të prezantueses së motit në SRF, Sandra Boner...
Stereotipet dhe klishetë për “shqiptarët e dhunshëm”, përveç në politikat e grupimeve të skstremit të djathtë, tani së fundi kanë nisur të përdoren edhe nga mashtruesit që publikojnë afishe false me qëllim përfitimi, shkruan albinfo.ch. Më e reja është afishja e pranishme në Instagram, ku shqiptarëve “u ngarkohet” “vrasja” e një figure të njohur në mediat zvicerane, e cila në fakt as nuk është vrarë e as sulmuar ndonjëherë.
“Titulli i reklamës që po qarkullon prej një jave në Instagram tregon prezantuesen e motit të SRF, Sandra Boner, duke qeshur me dy djemtë e saj. Pranë saj janë fotografitë e një operacioni policor, lule dhe qirinj. Titulli: “Një grup shqiptarësh vranë prezantuesin e SRF (49+) pasi (ai!) kishte vjedhur një shumë të madhe parash”. Kështu shkruan gazeta Tages Anzeiger në një artikull ku, në mënyrë të hollsishme merret me problemin më të ri në hapësirën mediale të Zvicrës e më gjerë.
Mashtruesit përpiqen të përdorin tituj të rremë për të joshur njerëzit kuriozë në faqe të dyshimta dhe për t’i tërhequr ata të investojnë para atje – para të cilat më pas zakonisht i humbasin, transmeton albinfo.ch. Mbrapa reklamave fshihen banda të organizuara ndërkombëtarisht. Ato joshin viktimat e tyre në gjithë botën me reklama të rreme, ku fusin njerëz prominentë në faqet e falsifikuara të mediave vendëse.
Kushdo që klikon në reklamën me vrasjen e supozuar të Sandra Bonerit, do të zërë një artikull të rremë “Blick” ose “20 Minutes” me titullin: “Banka Kombëtare e Zvicrës po padit Sandra Boner për shkak të deklaratave të saj në TV live”.
Pas kësaj vjen një intervistë e sa e rreme me moderatorin Reto Lipp, në të cilën Boner flet për një uebsajt të supozuar të sigurt për investime. Ajo i tregon Lipp-it linkun “fitimprurës”, “për të cilin Banka Kombëtare e Zvicrës kishte thirrur studion televizive dhe kishte kërkuar që të ndërpritet transmetimi i drejtpërdrejtë”, thuhet në artikullin absurd.
Sigurisht, artikulli më pas ofron linkun ekskluzivisht. Ai të çon në një faqe ku personalitete të tjerë të famshëm si Bernhard Russi “ju sigurojnë” se aty mund të fitoni shumë para.
Deri më tani, mashtruesit e investimeve kanë joshur njerëz vetëm me tituj si “Sekreti i Roger Federer” ose “Detaje të reja” për Sandra Boner. Por, me reklamën e fundit krijuesit e këtyre reklamave jo vetëm që po shkelin të drejtat personale të të famshmëve, por po shpifin edhe për mbarë komunitetin shqiptar, shkruan më tutje gazeta Tages Anzeiger.
Kjo do të thotë se ata për herë të parë po kalojnë një kufi vendimtar . “Reklama nuk është problematike vetëm sepse përhap lajme të rreme”, shkruajnë për gazetën nga Komisioni Federal kundër Racizmit (EKR), “por edhe sepse akuzon në mënyrë të rreme popullin shqiptar për vrasje dhe në këtë mënyrë shpif për ta”.
Mashtruesit tani jo vetëm që po përdorin famën e njerëzve të paraqitur, por po shfrytëzojnë gjithashtu tensionet politike në Zvicër. “Reklama të tilla mund të nxisin paragjykime negative dhe raciste ndaj grupeve të caktuara të popullsisë dhe kështu të kenë një ndikim negativ në bashkëjetesën sociale”, shkruan EKR, përcjell albinfo.ch. Në varësi të kontekstit, këtu përmbushet edhe vepra penale “diskriminim dhe nxitje urrejtjeje”.
Raporte të shumta të reklamave të rreme të të famshëmve arrijnë në Zyrën Federale të Sigurisë Kibernetike (BACS) në Zvicër. Por reklama kundër shqiptarëve është e re edhe për specialistët federalë. “Praktika e falsifikimit të vdekjes së një personaliteti të njohur ende nuk është raportuar në BACS”, shkruan zyra, transmeton albinfo.ch. Është ende e paqartë nëse shfrytëzimi i tensioneve politike tani do të gjejë rrugën edhe në Zvicër apo nëse këto janë përpjekje të njëhershme nga kriminelët.
E shqetësuar është edhe Shpresa Jashari. Linguistja dhe studiuesja e shkencave sociale në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Zug-ut është një zë i spikatur në komunitetin shqiptar në Zvicër. “Postime të tilla të turbullta prekin popullatën shqiptaro-zvicerane, qoftë të rinj apo të vjetër, si ata që punojnë në arkë, në universitet apo në ndërtim”, thotë Jashari. Stereotipi racist i “shqiptarit të dhunshëm” është rrënjosur politikisht dhe në media për dekada – dhe tani është bërë edhe tërheqës edhe për qëllime mashtruese”, thotë ajo.
Hulumtimet tregojnë se operatorët e reklamave të rreme të Sandra Boner përdorin një seri të tërë faqesh interneti që i ndryshojnë vazhdimisht, i mbyllin dhe i rilidhin. Ata kanë emra si “szclever.com” ose “colute.net”…
Nga klikimet përfitojnë jo vetëm mashtruesit, por edhe platformat që i vendosin këto reklama në emër të tyre apo të faqeve të tjera mediatike. Dhe ata kanë mundësinë të fshijnë menjëherë një përmbajtje të tillë urrejtjeje. Në rastin e reklamës për shqiptarët, kjo ka të bëjë me Metën, operatorin e Instagramit dhe Facebookut.
Kompania ka premtuar prej vitesh të përdorë algoritme për të zbuluar të ashtuquajturat “postimet e urrejtjes”. Por realiteti duket ndryshe. Kjo u konfirmua nga hulumtuesja kompjuterike Frances Haugen. Ajo ishte menaxhere e lartë e produkteve të platformave meta për shumë vite. Në vitin 2021, ajo u largua nga kompania dhe kontrabandoi qindra studime të brendshme përmes Instagram-it dhe Facebook-ut, të cilat ia dorëzoi një konsorciumi mediatik ndërkombëtar, përcjell albinfo.ch. Në Zvicër, tavolina kërkimore e Tamedias ka analizuar të dhënat në fjalë.
Pas skandalit, Meta premtoi se algoritmet e saj tashmë janë përmirësuar në mënyrë drastike. Por kompania la pa përgjigje pyetjen se pse reklamat mashtruese si ajo me Sandra Boner dhe shqiptarët vazhdojnë të qarkullojnë lirshëm mes përdoruesve zviceranë të Instagramit. Njësoj nuk pati përgjigje as për pyetjen se sa fiton kompania nga reklamat e tilla false…
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha