Kosova

Koncerti i Filharmonisë së Kosovës, shkëlqen kontrabasisti shqiptar që jeton në Zvicër

Nën drejtimin e shkëlqyeshëm të dirigjentes zvicerane Lena-Lisa Wüstendorfer, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës nisi serinë e koncerteve për vitin 2024.

Pianistja e mirënjohur kosovare Pranvera Hoxha, u mirëprit për interpretimin me shumë finesë të veprës “Variacione Simfonike” për piano dhe orkestër nga Cesar Franck. Në bis, Hoxha për publikun luajti “Lirikë Pranverore” nga Simon Gjoni.

Kontrabasisti kosovar i cili jeton në Zvicër,  Shkodran Osmanaj, mahniti të pranishmit me interpretimin e “Koncert për kontrabas” të Serge Koussevitzky-t. Osmanaj dëshmoi një pjekuri të lartë interpretuese në këtë paraqitje e cila njëherësh shënoi intepretimin e parë të një koncerti për kontrabas nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës.

Por kjo nuk ishte gjithçka! Në pjesën e dytë, u zhytëm në botën e lavdishme të Beethovenit me Simfoninë Nr.7, duke i shtuar një shtresë tjetër shkëlqimi muzikor kësaj mbrëmjeje koncertale.

Koncerti i ardhshëm i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 10 shkurt prej orës 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

albinfo.ch
albinfo.ch