Lajme

Lucerni prezanton një mjet raportimi kundër ngacmimeve seksiste

Në Lucern, ngacmimet, sulmet seksiste dhe anti-queer mund të raportohen në internet. Kjo synon të hedhë dritë mbi numrin e rasteve të paraportuara.

Me prezantimin e mjetit raportues “Lucern po shikon”, qyteti i Lucernit po merr masa kundër ngacmimeve dhe sulmeve. Kushdo që ka përjetuar ose ka qenë dëshmitar i një ngacmimi, mund ta raportojë atë në mënyrë anonime dhe të sigurt, transmeton albinfo.ch.

Ngacmimet raportohen rrallë

Mjeti synon të hedhë dritë mbi numrin e rasteve të paraportuara. Sipas njoftimit, ngacmimet seksiste dhe anti-queer rrallë raportohen tek organet zyrtare, si policia ose qendrat e mbështetjes së viktimave. Kryebashkiaku Beat Züsli thotë: “Një mjet raportimi anonim ofron një mundësi raportimi me prag të ulët dhe kështu ndihmon për t’i bërë këto armiqësi më të dukshme dhe për ta bërë popullatën më të vetëdijshme për këtë çështje”, shkruan 20minuten.

Mjeti i ri synon të ndihmojë në sigurimin e qartësisë

Menaxheri i sigurisë për Lucernin, Christian Wandeler, ka thënë se ka pak të dhëna të disponueshme deri më tani: “Mjeti i ri duhet të na ndihmojë të fitojmë qartësi”.

Sugjerimi për mjetin e raportimit erdhi nga burime të ndryshme. Ky ishte edhe rasti kur qyteti duhej t’i përgjigjej propozimit të grupit parlamentar të PS-së “Për një Lucern pa dhunë – së bashku kundër seksizmit, homofobisë dhe transfobisë”.

Wandeler ka thënë se ky projekt konsiston në miratimin e mjetit të raportimit që përdoret tashmë në qytetet e Cyrihut dhe Bernës.

Qëllimi është ndryshimi shoqëror

Pas vlerësimit të raporteve, është planifikuar që të merren masat e duhura në fushën e parandalimit dhe ndërhyrjes. Qëllimi është të sjellë ndryshime sociale dhe të promovojë guximin civil.