Lajme

Qeveria zvicerane u kërkon votuesve të refuzojnë propozimet e reformës së pensioneve

Qeveria zvicerane ka hedhur poshtë argumentet për të rritur moshën e daljes në pension në 66 vjeç dhe për një pagesë mujore të 13-të të pensionit – propozime që do të vendosen nga votuesit në mars.

Të hënën, këshilltarja federale, Elisabeth Baume-Schneider, paraqiti argumentet e Këshillit Federal kundër dy nismave, shkruan albinfo.ch.

Më 3 mars qytetarët zviceranë do të votojnë për nismën popullore “Për një jetë më të mirë në pleqëri”. Nisma kërkon rritjen e pensionit të pleqërisë me një muaj.

Kështu, një pagesë e 13-të e pensionit do t’i shtohej çdo vit 12 pensioneve mujore. Këshilli Federal rekomandon refuzimin e iniciativës për shkak të kostove shtesë prej të paktën 4.1 miliardë CHF në vit që do të sillte, transmeton swissinfo.

Këshilli Federal po i thotë gjithashtu “jo” nismës popullore për të rritur moshën e pensionit, fillimisht në 66, si për burrat, ashtu edhe për gratë, dhe më pas në përputhje me jetëgjatësinë.

Sipas mendimit të qeverisë, nisma është shumë e ngurtë dhe vjen shumë shpejt pas reformave të pensioneve.