Shqipëria

‘Murtaja Afrikane’, Shqipëria ndalon importin e pulave e derrave nga disa shtete evropiane

Shqipëria ka ndalur importet e derrave nga disa vende të Europës, për shkak të “Murtajës Afrikane”.

Janë ndaluar importet e derrave nga Sllovakia, Italia, Hungaria, Letonia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Danimarka, Holanda dhe Belgjika.

Mësohet se ky vendim është marrë pasi në këto vende janë zbuluar raste të infektimeve të këtyre kafshëvë me sëmundjen e “Murtajës Afrikane”, raporton euronews përcjell albinfo.ch.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka përcaktuar se sa do të zgjasë në kohë kjo masë, pra nëse do të jetë i përhershëm, apo deri në një vendim të dytë.

“Murtaja Afrikane” e derrit është sëmundje ngjitëse virale, që shkakton ethe hemoragjike te derrat e butë dhe të egër, por që ende nuk ka të dhëna që sëmundja të transmetohet edhe te njerëzit.

Për shkak të sëmundjes së influencës aviare, nga Italia, Bullgaria dhe Gjermania është vendosur edhe bllokimi i importeve të shpendëve të gjallë dhe mishit të tyre.