Kosova
Vjenë: Kori nga Kosova akordohet për Beethovenin dhe muzikën shqiptare
Dje, kori i Kosovës ka arritur në kryeqytetin austriak dhe shpejt ka nisur të akordohet për paraqitjen e katërfishtë, përcjell albinfo.ch.
Të premten, nikoqire e Korit është Kisha Votive e këtij qyteti me një program ku përfshihen edhe veprat shqipe. Por, ky është vetëm fillimi. Në Vjenën që gumëzhin prej atmosferës festive, “Siparantumi” do ta presë Vitin e Ri në njërën prej kryeqendrave të muzikës klasike. Nata e 30 dhjetorit, ajo e Vitit të Ri dhe nata e parë e vitit 2024 janë rezervuar edhe për “Siparantum” në të famshmin “Silvester Concert”. Në program – Beethoveni me “Simfoninë e Nëntë”, shkruan koha.
Tradita e do që një vit të përmbyllet me festë si kremte e arritjeve, bashkë me urimet për vitin pasues. E kori “Siparantum” është duke u përgatitur për festën e fundvitit. Por, jo për çfarëdo feste. Do të ketë kremte në një prej qendrave të botës së cilës i takon, asaj të muzikës. Trinomi i përbërë nga Orkestra Simfonike e Vjenës, kori i njohur vjenez “Singakademie” dhe kori “Siparantum”, do të festojnë së bashku për tri net radhazi. Është gjysma e formacionit koral nga Kosova që do të ngjitet në skenën e Sallës së Koncerteve të Vjenës më 30, 31 dhjetor dhe 1 janar. Bëhet fjalë për të njohurit “Silvester Concert”, ku interpretohet vepra si Simfonia e nëntë e kompozitorit gjerman, Ludvig van Beethoven, i cili njihet si krijues që e ka çuar muzikën klasike në tjetër nivel. Por “Siparantum” nuk do ta përmbyllë me kaq udhëtimin në shtetin që nëse i përkthehet emri literalisht, do t’i thuhej Perandoria e Lindjes. Kisha Votive do të jetë nikoqire e krejt anëtarëve të Korit për një koncert, ku do të shpalosen edhe vepra shqiptare.
“Edhe një ëndërr e bërë realitet. E gjitha kjo dëshmi e punës dhe sakrificës së të gjithë anëtarëve të Korit”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi të mërkurën, në ditën kur ai dhe kolegët e tij kanë mbërritur në Vjenë.
Formacioni i themeluar më 2017 nuk është përballur me pak sfida të natyra të ndryshme. Sfidë më vete – edhe pse jo aso e nivelit mungesës së buxhetit, vizave, bindjes së anëtarëve që të japin kontribut vullnetar – qe edhe udhëtimi drejt Vjenës. Një dyorësh në kufirin midis Serbisë dhe Hungarisë, ku edhe hyhet në zonën Schengen, në mëngjesin e së mërkurës ishte një prej copëzave të mozaikut të ballafaqimeve me burokraci. Policët kufitarë e doganierët për një orë as nuk e kanë marrë mundin që të nisin legjitimimin e anëtarëve të Korit, edhe pse grupi ishte i vetmi duke pritur. Aty bie në sy se si disa punonjës shtetërorë vërtiten nga kabina në kabinë, tymosin duhan, bëjnë muhabet qejfi, e as që u shkon mendja për ta bërë punën e vet. E në anën tjetër, punonjësit e kompanisë që transportojnë Korin nuk u bëzanë, shkaku i ndonjë hakmarrjeje që do të kushtonte me pritje deri në dhjetë orë e shpalim të krejt gjërave që kanë me vete. Por të interpretosh në Vjenë, do mund. E zallamahia në kufirin serbo-hungarez është një pjesë e tij.
Qe kori “Singakademie” që e ka ftuar “Siparantumin” që të performojnë në “Silvester Concert” me veprën vokalo-instrumentale të Beethovenit. Salla e koncerteve në Vjenë e hapur më 1913 është një prej adresave botërore të muzikës klasike. Kurse “Silvester Concert” është ngjarje paralele e të famshmit Koncerti i Vitit të Ri, që mbahet nga Filarmonia e Vjenës. Janë 20 anëtarë të Korit nga Peja që do të performojnë aty. Publiku i pranishëm zor se mund ta marrë me mend se bëhet fjalë për muzikantë që në shtetin e tyre jo që nuk kanë ushtruar, por as nuk ekziston një sallë të paktën korrekte. Me ushtrime nëpër qendra rinore e kisha, “Siparantum” ia ka dalë që sivjet të prekë maja të tjera të historisë së vet 6-vjeçare.
“Kemi punuar pothuajse tash e dy vjet që krejt kjo të realizohet. Interpretimi i Korit me korin e ‘Singakademie’ dhe Orkestrën Simfonike është një mundësi e jashtëzakonshme jo vetëm për mua si dirigjent, por për të gjithë ne si shoqëri dhe si kulturë, pasi kjo ngjarje cilësohet si njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore sa i përket muzikës korale për kulturën dhe vendin tonë”, ka thënë dirigjenti i Korit, njëherësh kompozitor, Memli Kelmendi. Sipas tij, krejt kjo ka dashur përkushtim të veçantë. Krejt e veçantë është “Simfonia e nëntë” e Beethovenit.
E kompozuar midis viteve 1822 dhe 1824, ajo u interpretua për herë të parë në Vjenë më 7 maj 1824. Simfonia konsiderohet nga shumë kritikë dhe muzikologë si kryevepër e muzikës klasike perëndimore dhe një nga arritjet supreme në krejt historinë e muzikës. Njëkohësisht, është prej simfonive më të interpretuara në botë. Kjo vepër qe shembulli i parë i një kompozitori të madh që kompozonte edhe pjesë vokale në një simfoni. Pjesa e fundit e veprës është shkruar edhe për katër solistë pos pjesës korale. Teksti u përshtat nga “An die Freude” (Ode për gëzimin), një poezi e shkruar nga Friedrich Schiller në 1785 dhe e rishikuar në 1803, me tekst shtesë të shkruar nga vetë Beethoveni.
Në vitin 2001, dorëshkrimi origjinal i Beethovenit, i shkruar me dorë, i partiturës, i mbajtur nga Biblioteka Shtetërore e Berlinit, u shtua në listën e Trashëgimisë së Programit Botëror të Kujtimit të krijuar nga Kombet e Bashkuara, duke u bërë partitura e parë muzikore e përcaktuar kështu.
“Dihet që programi i Korit më shumë i takon muzikës bashkëkohore, duke u nisur nga ky fakt, ky rrugëtim në Vjenë është një sfidë në vete, pasi ngjitemi për të interpretuar ‘Simfoninë e nëntë’ të Beethovenit, pra një stil ndryshe nga veprat që kemi pasur deri më tash, edhe pse kemi kënduar vepra klasike. Mirëpo, kjo ngjitje në skenë është për ne një sfidë, sukses e emocion i papërsëritshëm”, ka thënë ai pasditen e së mërkurës në qytetin ku atmosfera festive vërehet në çdo cep. Koncertet do të dirigjohen nga Omer Meir Wellber.
Paraprakisht, më 29 dhjetor kori “Siparantum” do të ketë një tjetër paraqitje. Krejt anëtarët nën dirigjimin e Memli Kelmendit dhe të shoqëruar në piano nga Denita Dedushaj do të interpretojnë një program të veçantë në Kishën Votive të Vjenës. E hapur më 1870, ndërtesa neo-gotike do të jetë nikoqire e një programi të veçantë, ku pos veprave ndërkombëtare, do të zënë vend edhe ato shqiptare duke shpalosur një pjesë të traditës së muzikës korale të Kosovës. “Ater Umbra” e Memli Kelmendit, “Pax” e po të njëjtit kompozitor dhe “Pakëz në ëndërr e pakëz në zhgjëndërr” e Baki Jasharit janë midis veprave që do të interpretohen. Janë vepra të cilat “Siparantum” ka kohë që po i shëtit nëpër botë dhe po triumfon me medalje të arta.
“Siparantum” sikurse vitin e kaluar, ka jehuar fort edhe sivjet. Muzikën shqipe e dërgoi në Filarmoninë e Berlinit. Më pas triumfoi në Korenë e Jugut në Lojërat Botërore të Koreve për të vazhduar me Medalje të Artë në Lojërat Evropiane të Koreve në Suedi. E për festë të fundvitit po akordohet në Vjenë.
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?