Kosova

Turistë të shumtë nga Zvicra e Gjermania në Brezovicê, publikohen çmimet e reja të skijimit

Gjatë ditës se sotme është bërë publike lista e re e çmimeve e qendrës së skijimit në Brezovicë që gjendet në Kosovë. Sipas kësaj liste, shërbimet aty fillojnë me 1 euro dhe arrin deri në 500 euro.

Turistë të shumtë po vazhdojnë ta vizitojnë Brezovicën edhe këtë vit.

Prej fillimit të sezonit të dimrit, qendrën e skijimit në Brezovicë po e viziton një numër i madh qytetarësh.

Sot është publikuar edhe lista e çmimeve të reja në Brezovicë, për sezonin 2023-2024.

Në dokumentin e publikuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, mund t’i shihen çmimet ditore dhe javore.

Shërbimi më i lirë në këtë qendër fillon me 1 euro, derisa ai më i larti arrin deri në 500 euro.

Brezovica vlerësohet se është një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e saj të skijimit.

Turizmi dimëror në Kosovë zhvillohet në viset malore dhe si vende me potencial më të rëndësishëm konsiderohen Qendra e Skijimit “Brezovica” në Malet e Sharrit, Rugova dhe Dragashi.

Megjithëkëtë, mungesa e investimeve mbetet evidente prej vitesh.

Ndryshe, në vitin 2014, konsorciumi francez “MDP Consulting –Compagnie des Alpes” ishte shpallur fitues për privatizimin e qendrës turistike në Brezovicë, me një çmim prej 409 milionësh euro, nga të cilat 165 milionë pritej të investoheshin gjatë tri viteve të para, si dhe ishte premtuar hapja e 4.000 vendeve të reja të punës.

Në investime parashihej zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim , të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon.

Në qershor të vitit 2017, Qeveria e Kosovës pati përmbyllur si të dështuar procesin e koncesionimit të Qendrës turistike “Brezovica”, pasi që konsorciumi francez “MDP Consulting –Compagnie des Alpes”, pati dështuar të përmbushë përmbylljen financiare dhe të sigurojë mjetet e nevojshme për implementimin e fazës së parë për zhvillimin e projektit të Brezovicës.

Kompleksi turistik “Brezovica”, ndodhet në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit, në Komunën e Shtërpcës, e banuar me shumicë serbe.

Ndryshe, Brezovica është qendër e njohur turistike që gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2,522 metra, me një hapësirë prej 2,500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

Udhëheqësi i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Zekë Çeku, thotë për Radion Evropa e Lirë se kompleksi turistik “Brezovica”, ka potencial të jashtëzakonshëm dhe se zgjidhja më e mirë për këtë aset ka qenë privatizimi i tij.

Ndërkaq Arben Islami, udhëheqës i Organizatës joqeveritare ‘Kosova Hiking Trips’ dhe ‘Snow Njeri’, organizata këto që në mënyrë vullnetare bëjnë promovimin e bjeshkëve dhe natyrës së Kosovës, në një deklarim per media në Kosovë, kishte treguar se që nga vitet ’80 nuk është investuar në qendrën e skijimit “Brezovica”.

Por, pavarësisht mungesës së investimeve, sipas tij, pozita gjeografike e qendrës së skijimit, i shtyn qindra skitarë nga Shqipëria, Sllovenia, Bosnjë e Hercegovina që të vijnë në Brezovicë.

“Investimet, sidomos në Brezovicë janë të mangëta, pothuajse fare nuk bëhet nga institucionet e shtetit. Çka ka ndryshuar është numri më i madh i vizitorëve. Ka shumë turistë nga Shqipëria, Sllovenia, Bosnja, por edhe turistë nga gjithë Kosova. Kohëve të fundit kanë ardhur me qindra skitarë nga rajoni, më pyesin a ka borë dhe a mund të vijmë në skijim. Ne kemi male të larta deri në 2500 metra, të cilat kanë ende borë për disiplina të rralla, e që mund të shfrytëzohet snow-boardi pasi kemi male të larta”.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, numri i vizitorëve është rritur këtë vit.

Turistët më të shumtë janë nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Turqia.

Pavarësisht problemeve me infrastrukturë e e shumë problemeve të tjera që përcjellin turizmin në vend, Kosova ka potencial për turizëm, sidomos atë natyror.