Kosova

Xhudistët e Kosovës synojnë medalje në Evropianin që mbahet në Prishtinë

Këtë të shtunë nis Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos, që për herë të parë mbahet në Kosovë.

Në një video që ka shpërndarë Unioni Evropian i Xhudos, paraqiten nikoqirët në përgatitjet e tyre.

Trajneri i xhudistëve të Kosovës, Driton Kuka, shprehet i lumtur që më në fund garat do të zhvillohen në vendin e kampioneve botërorë të këtij sporti.

“Jam shumë i lumtur që atletë nga mbarë bota janë këtu dhe do të mund të shohin mikpritjen e njerëzve në Kosovë”, është shprehur Kuka.

Ndërkohë Distria Krasniqi po ashtu thotë se është nder për të të garojë në Kosovë.

“Është gara më e madhe që mbahet në Kosovë dhe jam shumë e motivuar, sepse do të garoj para turmës së Kosovës”.

E Kuka thotë se synimi janë medaljet.

“Unë gjithmonë them se si vend i vogël po të fitojmë vetëm një medalje, është sukses, do të synojmë më shumë, por edhe një është sukses. Duam të fitojmë një medalje për herë të parë në Kosovë”, u shpreh trajneri xhudos.