Maqedonia

Talat Xhaferi propozohet për kryeministër teknik të Maqedonisë së Veriut

Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim ka vendosur që për kryeministër teknik të Maqedonisë së Veriut ta propozojë kryeparlamentarin aktual, Talat Xhaferi.

“BDI propozon Talat Xhaferin si kryeministër i Qeverisë, e cila do të jetë në fuqi nga fundi i janarit e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së, përcjell albinfo.ch.

Lidhur me koalicionet parazgjedhore të mundshme, sipas Osmanit, organet e partisë kanë autorizuar Ahmetin që të vazhdojë negociatat dhe t’i propozojë partisë përcaktimin me të cilin do të shkohet në zgjedhje.

“Ne i analizuam të gjitha opsione dhe variantet e mundshme për pjesëmarrje, si parti e vetme dhe si pjesë e Frontit Evropian dhe u autorizua kryetari Ali Ahmeti t’i vazhdojë bisedimet dhe t’i propozojë partisë një vendim, i cili do të aprovohet në organet e partisë”, shtoi Osmani.

Në kuadër të kryesisë qendrore të BDI-së është diskutuar edhe për zgjedhjet e brendshme partiake që duhet të pasojnë. Pikë diskutimi në këtë kuadër kanë qenë edhe zgjedhjet presidenciale. /Alsat.mk