evente
Këto janë Personalitetet e Vitit 2023, të zgjedhura nga albinfo.ch
Sport: Granit Xhaka, Politikë: Ylfete Fanaj, Islam Alijaj, Biznes: Labinot Haxhaj, Kulturë: Fisnik Maksvel dhe Mjekësi/Shkencë: Emrush Rexhaj
Në mbrëmjen e 2 dhjetorit, të gjitha rrugët (e komunitetit shqiptar të Zvicrës) çonin në Wallisellen të Cyrihut. Atje, në një sallë të bukur e plot dritë, platforma mediale Albinfo.ch në një mbrëmje Gala po bënte shpalljen e Personaliteteve Shqiptare të vitit 2023, ne Zvicër. Mysafirë të shumtë, nga të gjitha sferat e jetës, si nga politika, kultura, sporti, bizneset etj. kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë mbrëmje të veçantë dhe për të festuar, së bashku me të zgjedhurit, edhe sukseset e komunitetit shqiptar gjatë vitit që po lëmë pas.
Duke përshëndetur të pranishmit, Sevdail Tahiri, drejtor i Platformës mediale Albinfo.ch (Print&Online) ka kujtuar arritjet e komunitetit shqiptar gjatë këtij dhe disa viteve pararendëse, në të gjitha fushat.
Këto arritje, janë bërë të mundura sigurisht falë angazhimit të motivuar të personave konkretë por edhe platforma Albinfo.ch ka meritën e saj, si shoqëruese dhe mbështetëse e tyre jo vetëm, thjesht, mediale. “Të thuash nuk ka ndonjë aktivitet të rëndësishëm të diasporës tonë në Zvicër, në të cilën albinfo.ch të mos jetë sponsor ose partner medial”, ka theksuar ai.
Më tutje, Tahiri ka prezantuar shifrat, gjithnjë në rritje, të shpërndarjes së Albinfo.ch ndër lexuesit në Zvicër dhe kudo në diasporë. Për të gjitha këto, ai ka falënderuar stafin e platformës, me qendër në Zvicër por me redaksitë përkatëse edhe në Kosovë dhe në Austri, Vjenë.
Sigurisht, krahas punës së motivuar të pjesëtarëve të këtij stafi dhe identifikimit të tyre me platformën, janë edhe partnerët afaristë ata që kanë mundësuar zhvillimin dhe rritjen e Albinfo.ch, ka theksuar veç tjerash drejtori Tahiri, duke veçuar disa nga këta partnerë të rregullt.
Para publikut të shumtë në numër, një fjalë përshëndetjeje ka mbajtur edhe themeluesi i platformës Albinfo.ch, Dr. Bashkim Iseni. Ai ka vlerësuar me nota të larta punën vetëmohuese dhe me cilësi që po bën kjo platformë që nga fillimi dhe në veçanti, aktualisht. Iseni më tutje ka folur për konceptin me të cilin është themeluar platforma Albinfo.ch.
Ky koncept tejkalon thjesht informimin dhe shkon shumë përtej kësaj, duke u zgjeruar në çështje të ndryshme të integrimit të shqiptarëve në Zvicër, në marrëdhëniet mes Zvicrës dhe vendeve të prejardhjes së shqiptarëve të këtushëm etj. Dr. Iseni ka vlerësuar lart punën të cilën tani po e bën ekipi i Albinfo.ch, duke ngritur më tej nivelin dhe kërkesat me të cilat platforma ishte themeluar, rreth 13 vite më parë.
Në vazhdim, moderatorja, Alisa Buzhala ka shpallur pikën kryesore të programi: zgjedhjen e Personaliteteve të Vitit 2023. Dhe, ata janë 6, sipas fushave përkatëse të tyre. Për sport, Personalitet i vitit është zgjedhur futbollisti shqiptarozviceran, i përmasave ndërkombëtare, kapiteni i Nati-t zviceran, Granit Xhaka. Për fushën e politikes, Albinfo.ch kishte zgjedhur dy persona, të cilët jo vetëm kanë shënuar vitin 2023 por me arritjet e tyre kanë shkruar historinë e komunitetit shqiptar të Zvicrës, në përgjithësi.
Janë këta: Islam Alijaj, deputeti i parë shqiptar në Parlamentin Nacional të Zvicrës, që siguroi këtë post, në zgjedhjet e mbajtura më 22 tetor të këtij viti dhe Ylfete Fanaj, gruaja e parë, jo vetëm shqiptare por edhe me prejardhje të huaj, përgjithësisht, e zgjedhur në një qeveri kantonale.
Ajo pra, në majin e vitit që po ikën, është bërë ministre në ekzekutivin e Kantonit të Lucernit. Alijaj dhe Fanaj janë dy treguesit më të mirë për procesin e pjekurisë dhe të integrimit në shoqërinë zvicerane që po kalon komuniteti ynë aktualisht.
Për fushën e biznesit, Personalitet viti Albinfo.ch ka zgjedhur Labinot Haxhaj, ndërmarrësi i njohur, themelues dhe pronar i kompanisë “ACL GROUP” nga Zvicra frankofone ndërsa për kulturë, respektivisht për film, këtë trofe e ka merituar regjisori Fisnik Maxvell (Maxhuni), po ashtu nga Kantoni Vaud, i Zvicrës frankofone. I fundit në radhë por jo për nga rëndësia, ishte i shpalluri Personalitet i Vitit 2023 për mjekësi/shkencë, Dr. Emrush Rexhaj, mjek dhe studiues i shquar, që punon në Spitalin Universitar të Bernës.
Në emrin e Granit Xhakës, i cili nuk kishte mundësi të merrte pjesë, ka falënderuar babai i tij, Ragip Xhaka. Ai ka falënderuar platformën albinfio.ch, siç ka thënë ai, jo vetëm për përzgjedhjen e Granit Xhakës Personalitet Viti por edhe për kontributin e gjithanshëm në drejtim të afirmimit të shqiptarëve në Zvicër.
Ylfete Fanaj ka përshëndetur publikun duke falënderuar edhe ajo albinfon për mbështetjen që i ka dhënë asaj dhe çdo zhvillimi në diasporën shqiptare të Zvicrës. Ajo ka thënë se ky vit ka qenë me fat për shqiptarët, për faktin se, në radhë të parë, një shqiptar, Islam Alijaj, ka fituar vendin në Parlamentin e Zvicrës. Edhe zgjehdja e saj në Qeverinë e Kantonit të Lucernit ka qenë një arritje po kështu e lartë.
Dalja në skenë e Islam Alijajt ka qenë një pikë kulmore e programit të mbrëmjes. Ai ka falënderuar albinfo.ch për nderimin që i ka bërë duke e zgjedhur personalitet viti por dhe për mbulimin medial të fushatës së tij. Ai ka thënë veç tjerash se ndihet krenar që është zgjedhur deputet, në radhë të parë për arsyen që “fëmijët e mi të kenë të drejtë të jenë krenarë për babanë e tyre”.
Labinot Haxhaj, si themelues dhe pronar i kompanisë së madhe ACL Group, ka folur rreth përparimit të madh që ka bërë komuniteti shqiptar në këto rreth 20 vite qëkur ai ka nisur biznesin e tij. Edhe ai ka theksuar rolin e rëndësishëm që luan albinfo.ch në informimin dhe në integrimin e shqiptarëve në Zvicër.
Për të mbajtur në nivel atmosferën festive të mbrëmjes është kujdesur këngëtarja e ardhur enkas nga Prishtina, Vesa Smolica, bashkë me bendin e saj shoqërues. Ajo, me një lehtësi të admirueshme kalonte në të gjitha zhanret e muzikës, si popullore, të përpunuar, pop muzikë shqipe e të huaj, duke kënaqur kështu shijet e të gjithë të pranishmëve.
Për organizimin e eventit është përkujdesur Hana Ramosaj me kompaninë e saj « La Perle Events».
(Fotografitë: Fiona Murtaj, albinfo.ch: Foto Galeri: Kështu dukej atmosfera në AlbGala 2023!)
E-Diaspora
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali E.D., një 41-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Azzano San Paolo, ka ndërruar jetë pas një...
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve Kombëtarja e Kosovës, në Zvicër...
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025