Lajme

Wil: Mbrëmje artistike me rastin e Festës së Flamurit

Gjithandej në Zvicër, fundjava e shkuar ka shënuar manifestime të shumta të organizuara në prag të Festës së Flamurit dhe themelimit të shtetit shqiptar. Albinfo.ch mori pjesë në një manifestim të organizuar nga Xhamia e qytetin Wil. Salla ku mbahej manifestimi ishte dekoruar me ngjyrat e flamurit kombëtar. Në korridore, pa ndalur vraponin dhe loznin fëmijë të veshur me rroba kombëtare. Që në hyrje të sallës ku mbahej ky organizim, nikoqirët ishin kujdesur që mysafirët të kenë mundësinë për t’u pajisur me ndonjë suvenir, vepër arti apo ndonjë libër.

Këtë mbrëmje e bënë të dukej shumë bukur nxënësit e xhamisë Wil, të cilët ishin veshur me rroba kombëtare dhe në hapjen e mbrëmjes, kënduan bukur himnin kombëtar.

Një atmosferë të veçantë na servoi jehona e këngës shqipe nga rapsodët shqiptarë të kësaj ane, të cilët herë pas here ngjiteshin në skenë.

Enkas për këtë mbrëmje kishin udhëtuar nga Shqipëria Grida Duma, një gazetare, politikane dhe tani moderatore emisionesh në kanalet më të spikatura të Shqipërisë, ndërsa nga Kosova publiku u njoh me zërin e ëmbël përmes recitimeve shumë të bukura të artistit Basri Lushnjaku.

Aty ishte dhe Arbër Bullakaj, kandidati shqiptar për deputet në Parlamentin Federal të Zvicrës. Në fjalën përshëndetëse, ashtu edhe siç pritej, ai u ndal tek politika dhe pjesëmarrja e pakët e shqiptarëve në këtë sferë. Bullakaj përmendi faktin që bujqit zviceranë, të cilët në numër janë diku rreth 50 000, kanë arritur që në Parlamentin Zviceran të përfaqësohen me 12 deputetë. Ai nënvizoi gjithashtu se shqiptarët nuk qëndrojnë mirë politikisht dhe në vend që të kemi më shumë se 10 deputetë, ne sot në Zvicër përfaqësohemi vetëm me një. „Ky për faktin që një pjesë e shqiptarëve edhe nuk posedojnë nënshtetësinë zvicerane“, tha Bullakaj. Ai foli edhe për një iniciativë, e cila do të lehtësonte rregullat për natyralizimin e të huajve në Zvicër dhe thiri të pranishmit të njoftohen me të njëjtën.

Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër u prezantua nga dr. Mexhit Osmani, i cili mes tjerash përcolli mesazhin e KMSZ-së, duke uruar të pranishmit për festën, siç tha ai, të madhe dhe të veçantë të kombit shqiptar. Osmani u ndal gjithashtu edhe te fakti që xhamitë në Zvicër pos aspektit shpirtëror dhe fetar, janë të angazhuara dukshëm edhe në ngritjen dhe ruajtjen e vlerave kombëtare.

Bekim Alimi, imam i Xhamisë Wil, njëherësh dhe nikoqir i kësaj mbrëmjeje artistike, pasi u uroj mirëseardhje të pranishmëve, me theks të veçantë u ndal tek puna dhe vepra e teologëve në ngritjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare. Ai përmendi Lidhjen e Prizrenit, në të cilën kanë marrë pjesë shumë hoxhallarë të kohës, më pastaj Manastirin dhe themelimin e alfabetit dhe në fund përmendi dhe Pavarësinë e Shtetit shqiptar, ndërsa në tha se krah të Ismail Qemalit në momentin e shpalljes së Pavarësisë qëndronte një hoxhë.

Në një dialog të zhvilluar mes Bekim Alimit dhe Grida Dumas, u prekën shumë tema që i tangojnë shqiptarët. Nga diaspora roli i saj në vendëlindje, qeveritë e shteteve shqiptare dhe aty ku participojnë shqiptarët si dhe qëndrimi i tyre karshi diasporës. Folën për artin, historinë e deri tek besimi në Zot.

Kur jemi te qëndrimi i Qeverisë shqiptare ndaj diasporës dhe orvatjes për të parandaluar emigrimin, Grida u tregua ashpër, duke akuzuar garniturën aktuale të Qeverisë Rama se nuk ka bërë sa duhej në këtë drejtim. Ajo tha se popullizmi parazgjedhor ka bërë që faturën në fund ta paguajë përsëri populli. Qëndrimin e saj ajo e mbështeti, pos tjerash, edhe në një studim të bërë së fundmi, i cili flet për varësinë e familjeve shqiptare nga paratë e emigrantëve.

„Sipas një studimi të bërë së fundmi, 68% e familjeve shqiptare vazhdojnë të marrin të ardhura nga familjarë që i kanë në emirgrim. Ndërsa 86% prej tyre presin të ardhura nga një person i vetëm që vepron dhe punon jashtë shtetit“, nënvizoi zonja Duma, duke dashur me këtë t’ia bëjë me dije opinionit sakrificën e shumë njerëzve në mërgim, që vazhdojnë të bëjnë për familjet e tyre të varfra në Shqipëri dhe jo vetëm.

Ajo foli dhe për tolerancën e shqiptarëve mes vete, kur është në pyetje besimi në Zot. Ndarjen e Bizantit dhe qëndrimet armiqësore të sllavëve kanë bërë që shqiptarët të bashkohen dhe të jenë më tolerantë sa i përket besimit edhe atëherë kur më vonë shumica ka pranuar  fenë Islame.

Bekim Alimi nuk la anash pa përmendur dhe një zë të njohur si Iniciativa e Deçanit, i cilësuar si zë destruktiv dhe përçarës, i cili i thërret shqiptarët për të braktisur fenë Islame. Në këtë pikë zonja Duma u tregua shumë e qartë, duke thënë se „ai njeri i cili nuk beson në Zot nuk është njeri, ndërsa njerëzit që nuk kanë besim, nuk kanë as atdhe!“

Pas debatit me zonjën Duma, në skenë u rikthye kënga dhe vallja shqipe, të cilën herë pas here e zbukuronte dhe zëri i artistit Lushnjaku. Atmosfera afestive vazhdoi deri në orët e mesnatës kur ishte paraparë dhe fundi i programit artistik të organizuar nga Xhamia e Wil-it, e njohur dhe më herët për aktivitete të këtilla në kuadër të shënimit të datave të rrëndësishme të kombit tonë shqiptar.

Irfan Agushi