Lajme

OBSH: Rritet përdorimi i antibiotikëve pa kriter, kërcënime për jetën

Përdorimi pa kriter i antibiotikëve është një ndër kërcënimet kryesore të shëndetit publik. Organizatat Botërore e Shëndetësisë ngre alarmin për konsumimin e antibiotikëve pa recetë dhe vdekjet e larta që po shkakton rezistenca antimikrobike në Evropë dhe mbarë botën.

Pas një anketimi të kryer në 14 vende të Evropës, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, OBSH konstatoi se një e treta e popullsisë së rajonit përdor antibiotikë pa recetë mjekësore. Arsyet e marrjes së antibiotikëve ishin ftohjet, simptomat e ngjashme me gripin, dhimbje fyti dhe kollë. Por ekspertët e OBSH-së theksojnë se pa vizitën dhe ekspertizën e mjekut nuk mund të merren medikamente dhe aq më tepër kur bëhet fjale për viroza ku antibiotikët nuk bëjnë efekt.

Mbipërdorimi i antibiotikëve, mjeku: Është një alarm botëror

“Arsyet e përmendura për marrjen e antibiotikëve përfshinin ftohjet (24%), simptoma të ngjashme me gripin (16%), dhimbje të fytit (21%) dhe kollë (18%). Këto krijojnë arsye për shqetësim, sepse këto simptomash shpesh shkaktohen nga viruse kundër të cilave antibiotikët nuk bëjnë. Ekspertiza mjekësore është thelbësore për të bërë një diagnozë të saktë e për të përcaktuar nëse antibiotikët janë rruga e duhur e trajtimit”.

Drejtues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë u bëjnë thirrje shteteve të ndërmarrin politika për ndërgjegjësimin dhe edukimin e popullatës për mosmarrjen e medikamenteve pa kriter. Gjithashtu të mos lejohet shitja e antibiotikëve pa recetë

“Faktorë të tjerë të rezistencës antimikrobike i kanë rrënjët te normat sociale dhe kulturore të mësuara në komunitet, për shembull, mos përfundimi i një mjekimi antibiotikësh për të ruajtur disa tableta për herën tjetër kur të sëmureni ose shkëmbimi i tyre menjë të afërm apo fqinj të sëmurë. Kjo sjellje e mësuar mund të marrë kohë për t’u ndryshuar dhe është e domosdoshme që njohuritë mbi studimin e sjelljeve dhe kulturave të përdoren plotësisht gjatë planifikimit të ndërhyrjeve”

Sipas të dhënave të OBSH-së, 5 milionë njerëz vdesin çdo vit në botë nga rezistenca bakteriale që krijohet nga përdorimi pa kriter i antibiotikëve. Ndërsa ne Evropë humbin jetën çdo vit gjysmë milioni qytetarë.