Kosova

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë shënon 111-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë ka organizuar sonte një pritje me rastin e 111-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë ngjarje që mblodhi liderë institucionalë e politikë dhe përfaqësues të korit diplomatik e personalitete të tjera, mes tjerash u tha se 28 Nëntori është datë themeltare e lirisë dhe e flamurit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë në këtë pritje, uroi të gjithë shqiptarët për kualifikimin e kombëtares shqiptare të futbollit në EURO 2024.

Më tej, foli për sakrificën e shqiptarëve për liri e barazi.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ju uroj 111-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, duke i nisur urimet tona nga sot e deri më 28 nëntor, për liri të qytetarëve dhe barazi mes popujve të rajonit tonë ballkanik e të kontinentit tonë evropian, për paqe brenda shteteve e ndërmjet shteteve gjithandej botës, për siguri të qëndrueshme për të gjithë dhe progres gjithëpërfshirës për secilin”, tha ai.