Lajme

Rriqrat në Zvicër janë më të rrezikshme nga sa mendohej më parë

Studiuesit në Universitetin e Cyrihut kanë gjetur viruse ose baktere në pothuajse të gjitha rriqrat që kanë ekzaminuar, përfshirë virusin Alongshan, i cili u zbulua disa vite më parë.

“Pothuajse çdo rriqër mund t’ju bëjë të sëmurë,” tha të hënën për agjencinë zvicerane të lajmeve Keystone-ATS virologu Cornel Fraefel nga Universiteti i Cyrihut, i cili mori pjesë në studim. “Në shumë rriqra, ne gjetëm disa patogjenë në të njëjtën kohë.”, tha ai, transmeton albinfo.ch.

Virusi Alongshan (ALSV) u zbulua në pothuajse dy herë më shumë rriqra (7.6%) sesa virusi i meningoencefalitit (4.2%). Rreth 77% e rriqrave rezultuan gjithashtu pozitive për të paktën një patogjen joviral. Nga rriqrat e mbledhura në zonat urbane, 83,9% përmbanin të paktën një patogjen joviral.

Rrezikshmëria e ALSV ende nuk është përcaktuar qartë. “Zbulimi i ALSV është aq i fundit sa nuk mund të themi ende nëse është i rëndësishëm për shëndetin publik në Zvicër,” tha Fraefel. Sipas një studimi kinez, simptomat ngjajnë me ato të meningoencefalitit, përcjell albinfo.ch.

Rickettsiae dhe borrelia

Bakteret nga grupi i rikecisë, të cilat mund të shkaktojnë një seri të tërë sëmundjesh të njohura si ricketcioza, u gjetën më shpesh në rriqrat e ekzaminuara nga studiuesit e Cyrihut. Këto përfshijnë anaplazmozën, e cila mund të shkaktojë ethe, të dridhura dhe dhimbje koke.

Borrelia, përgjegjëse për sëmundjen Lyme, u zbulua gjithashtu në shumë rriqra. Në zonat urbane, borrelia ishte e pranishme në 8.2% të rriqrave të ekzaminuara (1.9% në zonat rurale).

Studiuesit e Universitetit të Cyrihut nxorrën ARN dhe ADN nga më shumë se 10,000 rriqra dhe i testuan ato për viruse. Këpushat u testuan edhe me PCR për baktere të ndryshme. Rezultatet janë publikuar në revistën e specializuar Plos One.