Kosova

Shqipëria dhe Kosova përfshihet nga shiu i dendur dhe shtrëngatat

Prej 24 orësh Shqipëria ndodhet në “pushtetin” e shiut. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikon që për fundjavën vendi do të ndikohet nga kushte kryesisht të paqëndrueshme atmosferike si pasojë e periferisë së një stuhie të fortë që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë, por edhe një pjesë të madhe të Europës.

Në këtë mënyrë për ditën e shtunë nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës moti parashikohet me vranësira të dendura e reshje shiu të vazhdueshme dhe intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave.

Reshjet më të theksuara priten të regjistrohen në juglindje dhe veriperëndim të Kosovës, derisa pjesët e tjera të territorit parashihen të kenë reshje të intensitetit mesatar.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 13-16 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-6 metër për sekondë.

Ditën e diel parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale diellore. Vranësirat vende-vende parashihen të sjellin riga shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 15-18 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-5 metër për sekondë.

Ndryshe, mot ekstrem është duke mbizotëruar në disa shtete të rajonit, si në Kroaci, një pjesë e Bosnjës jugperëndimore, Mal të Zi, Shqipëri dhe një pjesë e jugperëndimit të Maqedonisë së Veriut.