Kosova

Mediat e Gjermanisë: Emigrantët nga Ballkani Perëndimor ikin në pranverë, kthehen dhe kërkojnë azil në vjeshtë

Gazetat e Gjermanisë, si Tagesspiegel, Süddeutsche Zeitung dhe Bild, kanë shkruar se ka ende një numër të madh të qytetarëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia që kërkojnë azil në mënyrë të përsëritur, përcjell albinfo.ch.

“Nga disa mbiemra, punëtorët në qendrën e pritjes së refugjatëve në Berlin tashmë e dinë se çfarë vjen më pas: zero mundësi për t’u dhënë azil. Por këto kërkesa shoqërohen me disa muaj ndihmë sociale të ndjekura dhe në fund kërkesa refuzohet. Vitin tjetër, e njëjta histori përsëritet”, shkruan Tagesspiegel.

Tutje thuhet se kryesisht në pranverë, emigrantët kthehen në vendet e tyre të origjinës, kalojnë verën atje dhe kthehen në vjeshtë për të aplikuar sërish për azil, teksa thuhet se kjo është e mundur për shkak të ligjit gjerman të azilit, i cili nuk e kufizon numrin e kërkesave për azil për të njëjtin person.

Zyra Federale për Emigracionin dhe Refugjatët ka regjistruar 13.000 aplikime të përsëritura vetëm këtë vit, ndërsa shumica më e madhe e aplikantëve vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.