Lajme

Inflacioni në Eurozonë bie në 2.9%

Norma e inflacionit të Eurozonës ka rënë në 2.9% nga 4.3% në shtator – norma e saj më e ulët në më shumë se dy vjet.

Ndërsa analistët kishin pritur që norma të qëndronte mbi 3%, përkundrazi është më afër objektivit prej 2% të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), shkruan DW.

BQE rriti normat e interesit për të dhjetën herë  radhazi në shtator për të luftuar rritjet historike të çmimeve në bllokun e monedhës së përbashkët 20-vendesh.

Por, shenjat e dobësisë në ekonomi, si dhe presionet në rënie të çmimeve e shtynë BQE-në të lërë të pandryshuara normat e interesit këtë muaj, hera e parë që normat mbahen të pandryshuara që nga korriku 2022, përcjell albinfo.ch.

Inflacioni i Eurozonës arriti kulmin e tij prej 10.6% në tetorin e vitit të kaluar pas pushtimit rus të Ukrainës, i cili shkaktoi rritje spirale të çmimeve të energjisë.

Ndërkohë, rritja ekonomike në bllok u tkurr me 0.1% gjatë periudhës korrik-shtator, duke shënuar një rritje modeste prej 0.2% në tremujorin e dytë.

Fushata e BQE-së për rritjen e normave dhe performanca e dobët e ekonomisë së saj më të madhe, Gjermanisë, kontribuan në tkurrjen, shkruan DW.

Gjermania është goditur rëndë nga kostot e larta të energjisë, një sektor i ngadaltë i prodhimit dhe normat e larta të interesit. Franca, qendra e dytë më e madhe ekonomike e BE-së, u rrit vetëm me 0.1%, dhe ekonomia e Italisë ngeci në tremujorin e tretë, treguan të dhënat.

Të dhënat e Eurostat treguan se Austria shënoi tkurrjen më të fortë në bllok, me 0.6%, përcjell albinfo.ch.