Literaturë

Libër që i jep një zë sakrificës së gruas shqiptare

Në organizim të Ansamblit "Trojet" është promovuar në Winterthur libri me poezi “Këngët e shekullit kallkan” i autores Iliriane Baraliu – Lladrovci

Promovimi i librit me poezi “Këngët e shekullit kallkan” të autores Iliriane Baraliu – Lladrovci, ka bërë bashkë në sallën e një shkolle në Winterthur (ZH) një numër të madh dashamirësish të letërsisë. Nikoqir i kësaj pasditeje me poezi dhe muzikë të zgjedhur ishte ansambli “Trojet” i qytetit Winterthur, shkruan albinfo.ch. Ky ansambël krahas misionit të vet parësor, kultivimit të valles shqiptare, është gjithnjë më aktiv edhe në promovime letrare, sikur ky i fundit. Duhet shtuar edhe faktin se falë angazhimit vetëmohues të anëtarit të kryesisë, Petrit Bytyçit, ansambli ka në dispozicion për aktivitetet e tij edhe sallën e bukur në shkollën Mattenbach të Winterthurit.

Ngjarjen e ka moderuar Dr. Sali Sefa, ish-konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih, ish i burgosur politik dhe aktivist i njohur i mërgatës. Ai ka shprehur fillimisht kënaqësinë që po i jepej rasti të drejtonte një aktivitet letrar, ku prezantohet libri i një poeteje dhe aktivisteje të çështjes kombëtare, si Iliriana. Dr. Sefa ka theksuar më tutje në fjalën e tij se libri poetik flet për qëndresën e popullit tonë dhe në veçanti të gruas shqiptare, gjatë krajatave, të cilat e kanë goditur ndër shekuj dhe sidomos në shekullin e kaluar.

Në emrin e ansamblit “Trojet” ka folur Zeqë Gashi, kryetar. Ai ka falënderuar autoren e librit dhe të pranishmit e tjerë për kënaqësinë që këtij ansambli i është besuar organizimi i aktivitetit të promovimit.

Aktivistja e njohur dhe mësuesja Saime Isufi, në fjalën e saj është fokusuar në temën bosht të poezisë së librit të promovuar: në vuajtjen dhe rezistencën e gruas shqiptare gjatë kohës së përpjekjeve për çlirim. Ajo ka theksuar se shpesh kontributit të gruas nuk i është dhënë vlerësimi i merituar. Prandaj, sipas saj, ardhja e librit poetik të Iliranës, me këtë temë, sjell freski në letërsinë tonë.

Një fjalë të zgjeruar rreth librit e ka lexuar publicisti dhe aktivisti i njohur, ish i burgosur politik, Ibish Neziri. Ai, duke prezantuar poezinë e Ilirianës ka veçuar faktin se poezia e saj del jashtë “valës” së hermetizmit që, sipas tij, karakterizon një pjesë të konsiderueshme të letërsisë shqiptare në Kosovë, shkruan albinfo.ch. Vargjet e Iliriana Baraliu – Lladrovcit nuk të lënë indiferent, ato të bëjnë për vete, të ngjallin emocione dhe kjo pikërisht kjo, ngjallja e emocioneve është ajo që e bën një poezi, letërsi të vërtetë.

Më tutje Neziri ka shpalosur fakte nga biografia e autores së librit. “E bija e atij”, ka qenë emërtimi me të cilin e kanë identifikuar Ilirianën në kohën kur ajo ishte nxënëse e shkollës së mesme. Me këtë emërtim është aluduar tek babai i saj, i cili në atë kohë ndodhej në burg, si i burgosur politik. Për pasojë, Iliriana, ashtu sikurse shumë moshatarë të saj ka vuajtur shtypjen që bëhej mbi lëvizjen çlirimtare të asaj kohe por njëherësh tek ajo është ngjallur fryma e rezistencës ndaj shtypjes, ka thënë veç tjerash Ibish Neziri.

Më tutje, Gani Lipaj ka lexuar fjalën e redaktorit të librit, Arben Veselaj. Me një fjalë përshëndetjeje është drejtuar edhe diplomati Ymer Lladrovci, zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe ish-konsull në Shtutgard e në Vjenë.

Pikat muzikore nuk kanë pasur si t`i mungojnë kësaj pasditeje të këndshme artistike. Kështu, anëtarja e dalluar e ansamblit “Trojet”, Flutur Bytyqi, ka kënduar një këngë të bukur, shoqëruar (nga vetë ajo) me piano. Një këngë të njohur nga repertori i Vaçe Zelës e ka interpretuar mjaft bukur anëtarja tjetër, Marisa Murtezi.

Aktori dhe regjisori i njohur i mërgatës shqiptare të Zvicrës, Adem Kica, ka deklamuar disa nga poezitë e librit të promovuar.

 

 

Anëtari veteran i ansamblit “Trojet”, Shaqir Dema, ka befasuar publikun duke interpretuar një këngë me motiv historik, të shoqëruar me lahutë. Paraqitja e një instrumenti të vjetër tradicional si lahuta përbën një ngjarje që e shohim shumë rrallë në skenat tona.

Para të pranishmëve ka marrë fjalën edhe autorja Iliriane Baraliu – Lladrovci, shkruan albinfo.ch. Ajo ka falënderuar organizatorët, parafolësit dhe miqtë e shumtë që kishin ardhur, duke nderuar atë dhe poezinë e saj. Me këtë rast, autorja e librit të promovuar është ndalur edhe në motivet që e kanë shtyrë të shkruajë këtë libër dhe për përmbajtjen e tij. Sipas saj, libri i kushtohet në radhë të parë gruas, grave të forta të familjeve të persekutuara nga regjimi serb, siç ishte dhe familja e saj, në atë kohë.

Në vazhdim, prezantimi i poezisë është gërshetuar me evokimin e kujtimeve në mes miqsh, nga koha e burgjeve dhe përndjekjeve politike, të cilat i kishin përjetuar një numër i madh i të pranishmëve. Në një bashkëbisedim të lirë janë inkuadruar deputetja e Parlamentit të Kosovës, Teuta Hadri, e njohur edhe si ish e burgosur politike, pastaj ish të burgosurat dhe aktivistet e tjera të njohura nga koha e ilegalitetit, si Teuta Bekteshi, Have Shala etj.

Ato, duke vlerësuar shembullin e krijueses Iliriane Baraliu – Lladrovci, janë angazhuar për vlerësim më të madh të kontributit të gruas në shoqërinë shqiptare, në përputhje me peshën reale që ky kontribut ka pasur në përpjekjet e popullit për liri dhe barazi.