Lajme

Izraeli nis fazën e dytë të sulmit në Gaza

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë paralajmëruar se po lëvizin drejt “fazës tjetër të luftës kundër Hamasit” dhe u kanë kërkuar civilëve në Gaza të lëvizin në zona më të sigurta në jug të Wadi Gazës.

“Terroristët e Hamasit veprojnë brenda dhe nën ndërtesa civile, pikërisht sepse ata e dinë se IDF bën dallimin midis terroristëve dhe civilëve,” tha kundëradmirali Daniel Hagari në një video të shpërndarë në platformën e mediave sociale X, shkruan DW.

Hagari u kërkoi civilëve në Gazën veriore dhe qytetin e Gazës që të lëvizin në jug të Wadi Gazës.

Ai tha gjithashtu se përpjekjet humanitare të udhëhequra nga Egjipti dhe SHBA do të zgjerohen në Gaza duke filluar nga e diela.

Izraeli ka kryer sulme ajrore në Gaza dhe e ka mbajtur territorin nën një bllokadë pothuajse të plotë që kur luftëtarët e Hamasit kryen sulme të paprecedentë terroriste që vranë 1,400 njerëz në Izrael më 7 tetor, përcjell albinfo.ch.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e sunduar nga Hamasi, më shumë se 7700 palestinezë janë vrarë nga bombardimet e Izraelit.

Ushtria izraelite zgjeroi operacionin e saj tokësor brenda Gazës gjatë fundjavës. Ai gjithashtu intensifikoi sulmet ajrore, duke prishur lidhjen e internetit dhe telefonit në territor. Komunikimet po riktheheshin gradualisht të dielën në mëngjes, shkruan DW.