Opinione

Leja e punës në Zvicër nuk fitohet aq lehtë si në Gjermani, por përse ndodh kjo?

Pyetje të ndryshme parashtrohen lidhur me mundësitë e punësimit në Zvicër, por dihet ndërkohë se rrugët e shumta janë të mbyllura për të synuar arritjen e marrjes së një leje pune apo qëndrimi në këtë shtet.

Fakti se ndonjë i afërm është pronar i një ndërmarrjeje, se dikush garanton kontratë pune, apo edhe fakti se dikush veç ka punuar më herët në Zvicër apo edhe ka lindur në këtë shtet, përdoren shpeshherë si argumente në kuadër të pyetjeve të shumta.

Mundësitë ligjore për arritjen deri te leja e punës dhe e qëndrimit, sipas shembujve të sipërpërmendura, mbeten jashtëzakonisht të zbehta, dhe ato janë tejet mase vështirë të realizueshme.

Si duken praktikat e punësimit në këtë shtet?

Për personat shtetas të Bashkësisë Evropiane (BE), çështja e lejes së punës dhe qëndrimit, është një formalitet i thjeshtë. Për fitimin e lejes së tillë, me pasur një kontratë pune dhe banimi, por edhe disa kushte të tjera jo aq të komplikuara, do të mjaftonin për marrjen e lejes.

Sa i përket respektimit të procedurës, veprimi i parë që duhet bërë nga personat e interesuar, duhet gjetur një punë, e pastaj kryhen formalitete të tjera. Gabim është të mendohet e kundërta (së pari leja, e pastaj puna).

Në ditën e sotme, nuk ekziston asnjë kufizim në numër për pranimin e personave që vijnë nga shtetet e BE.

Kurse për shtetasit që vijnë nga vendet jashtë BE (Kanada, SHBA, disa shtete ballkanike, etj.), procedura për fitimin e një leje të punës është e komplikuar dhe e ashpër. Bile hasim në vështirësi të ndryshme edhe në raste së fitimit të lejes përmes procedurës së bashkimit familjar (për shembull, pas një martese me një person që ka status të rregulluar). Edhe pse bashkimi familjar është i garantuar me ligje të shumta!

Për rastet e rralla të mundësive të fitimit të lejes përmes rrugëve të tjera ligjore, aplikohet sistemi i kontingjenteve vjetore (apo i kuotave, i një numri të kufizuar të lejeve).

Çka mund të thuhet për sistemin e kontingjenteve?

Kjo nënkupton se, për çdo vit, caktohet një numër saktësisht i definuar i lejeve të punës që do të mund t’iu akordohen personave me origjinë nga shtetet jashtë BE apo të quajtura shtete të treta (siç janë Kanada, SHBA, shtetet ballkanike etj.).

Për shembull, sipas numrit të kontingjenteve për vitin 2023, vetëm 8500 punëtorë u pranuan nga shtetet e treta në Zvicër. Kjo praktikë e llogaritjes aplikohet vetëm për personat që i nënshtrohen ligjit për të huaj, e jo edhe për ato që posedojnë pasaportën e ndonjë shteti të BE-së.

Nxjerrja e një leje, duke u mbështetur në rregullat mbi kontingjentet vjetore, është pra forma më kryesore dhe e rregullt ligjore që mundëson fitimin e një leje pune për personat që vijnë nga shtetet jashtë BE. Janë krejtësisht tjetër rregullat mbi bashkimin familjar, lejet për pensionistët dhe lejet për studime.

Kush mund të përfitojë nga kjo mundësi?

Specializime dhe kualifikime të larta profesionale në fusha specifike kërkohen në mesin e kushteve të imponuara në praktikën e kontingjenteve. Vetëm personat me kualifikime të një rëndësie me vlerë madhore për tregun e punës zviceran mund të përfitojnë nga kjo praktikë e pranimit.

Më konkretisht, dispozita ligjore që i kushtohet kësaj çështje (neni 23 i Ligjit për të huaj), thotë posaçërisht atë se do të mund të përfitojnë nga kjo dispozitë vetëm ato persona të huaj, profili profesional i të cilëve duket kësisoj:  kuadrot, specialistët dhe punëtorë të tjerë të kualifikuar, investuesit dhe shefat e ndërmarrjeve të cilët, jo vetëm do të hapin ndërmarrje por edhe do të krijojnë kështu edhe vende pune, personalitetet e shquara të fushës shkencore, kulturore dhe sportive, personat që janë aktiv në kuadër të marrëdhënieve afariste ndërkombëtare etj.

Nëse nuk kërkohen çdo herë kualifikime të larta, atëherë kërkohet së paku ndonjë përgatitje profesionale që e kemi vështirë ta gjejmë në tregun zviceran të punës. Kjo sqarohet pra kryesisht me faktin e një interesi të gjithmbarshëm të këtij shteti, në këndvështrimin ekonomik.

Kështu, kërkohet nga punëdhënësi që të prezantojë dëshmi të mjaftueshme se nuk ka arritur të gjejë kandidatë të përshtatshëm apo të mjaftueshëm në tregun zviceran.

Punëdhënësit janë ata të cilët duhet të mbrojnë dosjen e kandidatit. E cekim edhe atë se punëdhënësit e ndryshëm nuk e kanë të njëjtën peshë para autoriteteve administrative që vendosin (për shembull, dallime ekzistojnë në mes të një punëdhënësi siç është industria farmaceutike «Novartis» dhe një ndërmarrje e vogël e ndërtimtarisë).

Përfitojnë më së tepërmi nga praktika e pranimit sipas rregullave të kuotave posaçërisht ekspertë të spikatur të sferave të ndryshme posaçërisht ato shkencore, që vijnë prej SHBA, Kanada dhe disa shtete aziatike. Një numër jashtëzakonisht simbolik vjen nga viset ballkanike.

Sipas disa vendimeve të viteve të fundit, autoritetet zvicerane e kanë rritur gradualisht numrin e kontingjenteve. Kjo është një rezultat i një presioni që bëjnë aktorët ekonomiko, të cilët, tepër e më tepër, vlerësojnë se Zvicra ka nevojë më të madhe për fuqinë punëtore që vjen nga shtetet jashtë BE-së.

Dinamika aktuale dëshmon se nuk duket aq e besueshme se ky shtet do ta mbajë këtë ritëm aq të kufizuar të pranimit të punëtorëve nga shtetet e treta. Dihet se janë shumë sektorë të ekonomisë (mjekësisë, ndërtimtarisë etj.) të cilat kanë probleme të mëdha për mbulimin e nevojave të tyre për fuqi punëtore. Personeli që vjen nga shtetet e BE-së nuk është pra gjithmonë i mjaftueshëm.

Pse ekzistojnë kaq shumë dallime në mes të dy sistemeve të pranimit në tregun zviceran të punës?

Marrëdhëniet që e lidhin Zvicrën me shtetet e BE-së bazohen në marrëveshjet bilaterale, të cilat parashikojnë që trajtimi në tregun e punës të jetë i barabartë dhe pa diskriminim në mes të shtetasve zviceranë dhe atyre që vijnë nga shtetet e BE-së.

Është pikërisht kjo rregull ajo e cila u ka mundësuar edhe shumë bashkatdhetarëve tanë, që posedojnë pasaportën e disa vendeve evropiane (Itali, Gjermani, etj.), të integrohen në tregun zviceran të punës.

Kurse për personat që vijnë nga shtetet jashtë BE, aplikohet një ligj specifik për të huaj, i cili përmban shumë pakë rregulla të ngjashme me ato të marrëveshjeve bilaterale. Ligji i tillë historikisht karakterizohet me rregullat e tija tejet të ashpra.

Një shtetas ballkanik a mundet prapëseprapë të punojë në Zvicër, pa pasaportë evropiane?

Për të punuar në Zvicër, shtetasit e huaj (përfshirë edhe ballkanasit) që jetojnë në afërsi të territorit zviceran, nuk janë të detyruar të jenë bartës të një pasaporte të ndonjë shteti evropian. Nëse plotësohen disa kushte, mjafton të kesh vetëm një leje stabile qëndrimi dhe një vendbanim prej së paku disa muajsh në afërsi të disa zonave kufitare që e ndajnë Zvicrën nga disa shtete fqinje (Itali, Francë, Gjermani dhe Austri).

Një leje pune mund t’u akordohet pra personave që banojnë në zonat afër kufijve shtetërorë të Zvicrës dhe që gjejnë një punë në zonat e konsideruara gjithashtu kufitare brenda territorit zviceran. Ekziston një rregullore mbi këtë çështje, e cila e përcakton hapësirën gjeografike deri ku shtrihet një zonë kufitare, e cila kuptohet se është e kufizuar.

Lirim Begzati, ekspert juridik, Neuchâtel (Zvicër)

dav